Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Më herët, burimet diplomatike i thanë REL-it se presin që edhe në vazhdim të procedurave për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës të ketë taktizime dhe që hapat të lidhen me përmbushje e obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve që kanë arritur Kosova dhe Serbia.

“Realisht, nëse gjithçka shkon sipas planit, procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të mund të përmbyllej deri në fund të këtij viti”, tha një burim diplomatik për REL-in.

Pjesë e taktizimeve, sipas burimeve, është edhe tentimi që aplikimi i Kosovës të mos futet në rend dite gjatë samitit të Këshillit të Evropës që mbahet në mesin e majit në Islandë, e cila kryeson Këshillin e Ministrave.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion është një prej temave edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Therese Blanche, që po zhvillohet në Luksemburg.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Kroacisë, Goran Gërliq-Ramdan, të hënën para nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm.

“Ne do të kemi një takim me sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Do ta shfrytëzoj rastin që të mbështesim fuqishëm kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha kryediplomati kroat.

Siç kanë thënë burimet evropiane për Radion Evropa e Lirë, avancimi i kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës është po ashtu një prej të arriturave të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Megjithatë, burimet nuk kanë dashur të përgjigjen prerë nëse Serbia ka shkelur marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, që u arrit më 27 shkurt, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më herët gjatë ditës deklaroi në Beograd se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më herët, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se do të punojë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për dallim nga Bashkimi Evropian, ku aplikimet për anëtarësim miratohen me konsensus, në Këshillin e Evropës pranimi i një anëtari të ri bëhet me shumicë votash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA