Dështoi dy herë të vriste biznesmenin, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit: 20 vite burg për Astrit Sinanaj

24/04/2023 10:30

Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit për dënimin me 20 vite burg të Astrit Sinanajt, i shpallur fajtor për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.

Por si rrodhën ngjarjet?

Sinanaj u dënua më 8 korrik 2020 për vendosjen e tritolit poshtë mjetit tip Volkswagen të biznesmenit Fuad Verzivolli. Ngjarja ndodhi në lagjen ”Luigj Gurakuqi”, pranë Teatrit Skampa Elbasan. Sakaq policia mundi të çaktivizonte pakon e dyshimtë që përmbante brenda një kg tritol C4, që do të hidhej në erë në mënyrë të telekomanduar.

Kamerat e sigurisë të bizneseve përreth tregonin se një person që vendos sasinë e tritolit dhe më pas largohet me një automjet “Fiat”. Sipas targës së mjetit, u thirr për t’u marrë në pyetje Thanas Thoma, i cili rezultoi të ishte pronari. Gjatë dëshmisë, Thoma deklaroi se në atë datë, ka kaluar me makinë në qendër të Elbasanit, ku ishte takuar me të njohurin e tij Astrit Sinanaj. I pyetur për rrethanat në të cilat e ka njohur, ai thotë se nëpërmjet një shokut të tij Martin Arapi.

Për këtë ngjarje u mor në pyetje dhe Astrit Sinanaj, i cili ka pohuar se nuk kishte njohje me biznesmenin Fuad Verzivolli, dhe se ishte rastësisht në vendin e ngjarjes. Megjithatë, Sinanaj nuk u dorëzua dhe disa ditë më vonë organizoi një tjetër atentat. Këtë herë vendosi një sasi tritoli në derën e lokalit të biznesmenit Fuad Verzivolli me emrin “Club Havana” në Elbasan. Edhe këtë herë, shënjestra nuk u prek, por Sinanaj nuk u shpëtoi prangave.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi dënimin e Sinanajt me 25 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,“Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

I dënuar me 10 muaj burg ishte edhe bashkëpunëtori i tij, Thanas Thoma, i cili asokohe akuzohej për “Moskallëzim i krimit”.

Pas vendimit, Sinanaj paraqiti ankim përmes të cilit kërkonte prishjen e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm ose në alternativë të deklarimin fajtor të pandehurit me kohën e paraburgimit për veprën penale të “Largimit nga vendi i qëndrimit”. Gjithashtu ankim bëri edhe Thoma, duke kërkuar ndryshim e vendimit, deklarimin të pafajshëm dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata e Apelit Durrës vendosi më 27 janar 2021 prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe kthimin e akteve për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Viktima e sulmit të Astrit Sinanaj, biznesmeni Verzivolli ishte kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës. Ai ushtroi rekurs përmes së cilit kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të 8 korrikut 2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, çka iu refuzua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi më 11 nëntor 2022 deklarimin fajtor të të pandehuri Sinanaj, për kryerjen e veprës penale  “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 79/ë e 22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, me 20 vjet burgim.

Çështja u apelua dhe gjykua sërish nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe pushimin e gjykimit për kryerjen e veprave penale të parashikuara, duke e deklaruar fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vëndi i qëndrimit”dhe në alternativë, prishjen e vendimit objekt shqyrtimi dhe kthimin për rigjykim të çështjes në shkallë të parë me tjetër trup gjykues.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 24 prill 2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Sokol Pina dhe anëtarë Valbona Vata e Valbon Cekrezi, vendosi lënien në fuqi të vendimit të 11 nëntor 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. 20 vite burg për Astrit Sinanaj.

Astrit Sinanaj njihet edhe si kushëriri i Julian Sinanajt, gjithashtu i dënuar me 30 vite burg që mban nofkën ‘Ujku i Vetmuar’.

Ai ka rrëfyer për grupin hetimor se ka ndërtuar bombën, e cila më pas u vendos në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ka vrarë biznesmenin Agron Çela në Vlorë, peshkatarin Sokol Veizaj në Orikum, ka vendosur tritolin në shtëpinë e Ardian Kollozit deputet i PD si dhe do të vriste biznesmenin e gazit Piro Bare. Për bashkëpunimin me drejtësinë, Sinanaj i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe u dënua vetëm me 30 vite burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA