“Bukuroshja e Adriatikut”/ Çel sezonin kroçiera turistike, mbërrijnë në Durrës 134 turistë

24/04/2023 10:04

“Bukuroshja e Adriatikut” çel sezonin e kroçierave turistike për vitin 2023.

La Belle De L’Adriatique sjell 134 turistët e parë të këtij viti, kryesisht francezë.

Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për zbatimin e të gjitha kushteve të sigurisë dhe lëvizjes së turistëve në territorin portual. Pas mbërritjes në port ata lëvizin në qendrat historiko-kulturore të afërta të vendit, si Durrësi, Kruja dhe Tirana.

Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i  vetëm i Bukuroshes drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.

“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçierat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin më të madh të vendit.

Anijet turistike dhe jahtet pritet ta përfshijnë më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferura në Mesdhe. Sipas të dhënave zyrtare nga Dispeçeria Qendrore e Autoritetit Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, do të jenë 23 kroçiera që do të ndalojnë në Durrës për vizita njëditore turistike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA