Shtetet e Bashkuara shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën sot.

Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

“Ne përkrahim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Është për të ardhur keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike”, u tha në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

SHBA-ja po ashtu tha se mirëpret përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtronin të drejtën e tyre të votës “duke ulur pikat e mundshme të tensionit”.

Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm”, u tha në njoftim.

”Shtetet e Bashkuara theksojnë se katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviç, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, shkruhet në reagimin e plotë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë,  nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor.

Nga 10 kandidatë për kryetarë të komunave, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, që kaloi pa asnjë incident, Lista Serbe tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se dalja në procesin zgjedhor ishte 3.47 për qind. KQZ-ja hapi 19 qendra votimi në katër komunat në veri, 13 prej të cilave ishin alternative, të vendosura në kontejnerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA