Zgjedhjet në veri të Kosovës/ Kryetari i KQZ-së: Qytetarët të dalin në votime, të ndërtojnë institucione legale

23/04/2023 10:28

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniqi gjatë një vizite në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

Në këtë vendvotim, sipas tij, deri më tani kanë votuar rreth 60 persona, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Procesi është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem”, tha Radoniçi.

Zgjedhjet e parakohshme lokale janë duke u mbajtur në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Pjesëmarrja, megjithatë, pritet të jetë e ulët, pas thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, për bojkotimin e procesit.

Kjo parti ka kërkuar fillimisht formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën gjë Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar dhjetë vjet më parë – dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Në qëndrimin e saj, ajo ka pasur mbështetjen e Beogradit.

Komunat në veri kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA