Në 13 qendra votimesh të improvizuara në kontejnerë dhe gjashtë syresh në qendrat e rregullta, sot po mbahen zgjedhjet për kryetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Nga dhjetë kandidatë për këto poste në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti po i bojkotojnë zgjedhjet me kërkesën e Beogradit zyrtar.

Slagjana Pantoviç, kandidate për postin e kryetares së komunës së Zveçanit tha se çështja është cila “është shpresa e serbëve nëse nuk dalim në zgjedhje”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha deri në orën 15:00 kanë votuar 1 mijë e 92 qytetarë nga rreth 45 mijë më të drejtë vote.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Presidenti serb Aleksnadar Vuçiç, ka kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autoritetet në Kosovë ndërkaq u kanë bërë thirrje qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se zgjedhjet parashikohen nga Kushtetuta dhe bojkotimi i tyre nuk është zgjidhje.

“Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha ai në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Bashkimi Evropian tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje”, ndërsa theksoi se është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të punojnë për të zbatuar një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA