Duke shpërndarë fotografi të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.
“Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21”, shkroi Bërnabiç në Twitter.
“Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shtoi ajo.
Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi strukturat lokale, të mbështetura nga Serbia, nuk kanë lejuar hapjen e shkollave si qendra të rregullta votimi.
Në zgjedhje nuk është duke marrë pjesë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila, sikurse Beogradi zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.
Kusht i tyre për pjesëmarrje ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe tërheqja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Me gjithë kundërshtimet e Beogradit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur zhvillimin e procesit zgjedhor në veri.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.
Zgjedhjet e parakohshme po mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave, të gjithë nga radhët e Listës Serbe, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Top Channel