Dyshime mbi diplomën e Këlliçit/ Nuk rezulton në regjistra të ketë marrë diplomën e shkollës së mesme

23/04/2023 15:09

Belind Këlliçi, kandidati koalicionit Meta-Berisha sipas një sërë dokumentesh shtetërore nga Ministria e Arsimit, rezulton të mos ketë mbaruar shkollën e mesme.

Vetë Belind Këlliçi disa ditë më parë, në një intervistë televizive e pranoi publikisht se kishte kryer vetëm 4 vjet nga 5 vitet që duheshin për të marrë diplomën e shkollës së mesme në Institutin “Harry Fultz”, “Dega Biznes”.

Ky dokument i datës 16 janar 2023 lëshuar nga  Instituti “Harry Fultz”, konfirmon se Belind Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes, duke vërtetuar faktin se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme dhe nuk është diplomuar për programin e studimit përkatës.

Mbetet e paqartë nëse kjo është shkelje e Belind Këlliçit apo një praktikë e “Harry Fultzit” për të shërbyer si agjenci ndërmjetësimi për shkollimet jashtë.

Kjo vërteton se kandidati koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Tiranë  nuk disponon një diplomë që vërteton përfundimin e shkollës së mesme.

Ky është një tjetër dokument shtetërore nga ministria e arsimit me datë 09 shkurt 2023 nga ku konfirmohet se  në regjistrat e maturës shtetërore nuk gjendet emri i Këlliçit.

Dokumenti tregon se  Belind Këlliçi nuk është futur në provimet e Maturës Shtetërore, e për rrjedhojë nuk mund të jetë pajisur kurrsesi me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme.

Kjo konfirmohet edhe nga numri i amzës së shkollës së mesme, me anë të së cilës vërtetohet se ai nuk e ka mbaruar ciklin e plotë 5 vjeçar, pasi në regjistër ka një shënim ku thuhet “është larguar jashtë shtetit” në vitin 2004-2005.

Megjithatë pa patur një diplomë të shkollës së mesme, Belind Këlliçi është regjistruar në vitin 2005 në “Coppin University” në SHBA.

Një tjetër dokument nga Ministria e Arsimit, vërtetohet se Belind Këlliçi ka kryer njësim të paligjshëm të diplomës universitare, pas kthimit nga SHBA.

Kjo ka ndodhur në vitin 2010 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga qeveria e Sali Berishës.

Këto dokumente zyrtare tregojnë se Belind Këllici,  ka gënjyer dhe ka mundur të mashtrojë qoftë universitetin amerikan dhe shtetin e Maryland-it në vitin 2005, por edhe shtetin shqiptar, në vitin 2010, kur ka bërë njësimin e diplomës.

Nëse do t’i referohemi ligjeve të shtetit të Maryland, mashtrimi me dokumentet zyrtare përbën vepër penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA