Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës.
Ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren me mbi 65% të votave në këtë komunë.
Ai në një dalje publike ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë banoreve edhe të atyre që e votuan e edhe i atyre që nuk e votuan.
“Kena fitu. Faleminderit shumë. Komunën Veriore të Mitrovicës unë si kandidat kam dalur si fitues i këtyre zgjedhjeve i kësaj sfide. I falënderoj të gjithë qytetarët fillimisht ata që kanë punuar pa u ndalë, të gjithë komisionerët, vëzhguesit, përkrahësit. I falënderoj të gjithë ata edhe që s’më kanë votu, do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. I apeloj të gjithë qytetarëve që po na ndjekin nëpërmjet kanaleve tuaja që të kenë besim në institucionin e komunës edhe në mua si kryetar komune”, tha Atiq.
Atiq ka shtuar se janë të vetëdijshëm për sfidat dhe se janë të gatshëm dhe me padurim po presin bashkëpunim me të gjitha komunitetet.
“Për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe jemi të përgatitur…. Jemi të gatshëm dhe me padurim po presim bashkëpunim me të gjitha komunitetet me të gjitha lagjet me të gjitha fshatrat”, ka thënë Atiq.
Nga ana tjetër deputeti, Armend Muja ka theksuar se nga të gjitha katër komunat ku kanë dalë votues, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar mbi 60% të veriut të Kosovës.
“Të gjithë e kanë pasur të drejtën e të zgjedhurit e kandidimit. Këtë rezultat e kemi. Mbi bazën e këtij rezultati kandidati fitues me mbi 65% të votave është Erden Atiq. Ndërkohë nga të gjitha katër komunat ku kanë dalë votues, Lëvizja Vetëvendosje i ka fitu mbi 60% të veriut të Kosovës. Ajo çfarë e dimë në këtë moment që e kemi fitu bindshëm komunën veriore të Mitrovicës e kemi bindshëm mbi 70% të votave në komunën e Leposaviqit. ….Në vazhdim ne do të jemi të përkushtuar ti kthejmë shërbimet komunale. Është mendoj një ditë e rëndësishme duke ju demonstru që votuesi dhe vendimet për komunën veriore të Mitrovicës merren këtu. Nuk ka më nevojë që vendimet të merren në Rashkë”, ka thënë Muja.
Sfidat janë të shumta ka shtuar ai dhe do të kujdesemi që bashkarisht ti përmirësojmë shërbimet komunale. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantuar një ofertë që nuk mund të jetë Vuçiç dhe Radojçiq përcaktues në qeverisjen e Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantu një ofertë që nuk mund të jetë Vuçiq dhe Radojçiq përcaktues në qeverisjen e Kosovës. Këtë e kemi dëshmu, gjithashtu kemi ndalu zgjedhjet serbe edhe referendumin serb. Dhe në anën tjetër sot e kemi dëshmu që Kosova mund të organizojë zgjedhje. Të gjithë e dimë se votuesit e komunitetit serb iu kanë nënshtruar formave të ndryshme të presionit dhe shantazhit që vjen nga Serbia”, është shprehur Muja.
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1567 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente. Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.
Top Channel