Zgjedhjet në veri të Kosovës/ Pamjet nga qendrat e votimi në kontejnere

22/04/2023 14:46

Nesër, më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Në dallim nga zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje, që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Votimet për zgjedhjet në Kosovë zakonisht zhvillohen në shkolla. Në veri, sipas KQZ-së, në të kaluarën janë hapur 44 qendra të votimit. Por, për zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë.

Hapja e qendrave të votimit në shumë shkolla, kësaj radhe, u bë e pamundur, pasi ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.

Prandaj, KQZ-ja tha se qendrat alternative do të jenë në kontejnerë, që do të vendosen në lokacione të ndryshme në katër komunat në veri.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA