Diplomatët dhe shtetasit nga Britania e Madhe, SHBA, Franca dhe Kina do të evakuohen nga Sudani me rrugë ajrore, ndërsa luftimet atje vazhdojnë, thuhet në një deklaratë nga ushtria sudaneze.
Shefi i ushtrisë Fattah al-Burhan ra dakord për të lehtësuar dhe siguruar evakuimin e tyre “në orët e ardhshme”.
Sudani është i mbyllur në një luftë të ashpër për pushtet me udhëheqësin e një fraksioni rival paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se “po bënte gjithçka të mundshme për të mbështetur shtetasit britanikë dhe stafin diplomatik në Khartoum”.
Planet e mëparshme për evakuimin e shtetasve të huaj nuk janë zbatuar për shkak të frikës së sigurisë. Aeroporti ndërkombëtar i Khartoum-it është mbyllur për shkak të dhunës.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak kryesoi një takim të Cobra – një komitet i reagimit emergjent – të shtunën në mëngjes për situatën në Sudan.
Arabia Saudite gjithashtu njoftoi se po organizonte evakuimin e qytetarëve të saj dhe shtetasve të vendeve “vëllazërore”. Kanali shtetëror televiziv Al-Ekhbariyah raportoi se disa qytetarë sauditë dhe shtetas të tjerë kishin mbërritur në qytetin port të Jeddah të shtunën.
Konflikti ka hyrë në javën e dytë, duke u përballur gjithashtu me situatën pa energji elektrike dhe pa ujë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 400 njerëz janë vrarë. Numri i të vdekurve besohet të jetë shumë më i lartë pasi njerëzit përpiqen të arrijnë në spitale.
Mijëra persona, kryesisht civilë, kanë mbetur të plagosur, ku qendrat mjekësore janë nën presion për të përballuar fluksin e pacientëve.
OKB-ja ka paralajmëruar se deri në 20,000 njerëz – kryesisht gra dhe fëmijë – kanë ikur nga Sudani për të kërkuar siguri në Çad, përtej kufirit nga Darfuri.
Top Channel