Liberalizimi i vizave, që së fundi po mbërrin për Kosovën, normalisht vlen për të gjithë vendet e zonës Shengen.

Por Spanja, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk do t’i lejojë sërish kosovarët të udhëtojnë lirisht drejt saj pasi ky vend anëtar i BE-së, nuk ua njeh pasaportat.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Komisionit Europian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper. E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, përpos një shteti, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë mbajtësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, me përjashtimin e njërit prej tyre”, u shpreh ajo.

Spanja, që merr kryesimin e radhës së Bashkimit Europian në 1 korrik, ka qenë njëri prej zërave më të fortë kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës, edhe pse gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, ajo nuk kundërshtoi. Vendet e tjera që nuk e njohin Kosovën janë Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, të cilat i pranojnë ndërkohë pasaportat e lëshuara nga autoritetet kosovare.

Arsyeja kryesore e kundërshtisë së Spanjës besohet të jetë Katalonja, sepse pranimi i mëvetësisë së Kosovës nga Madridi zyrtar mund të nënkuptojë që edhe Katalonja të pretendojë të njëjtën gjë, nëse këtë e kërkon një shumicë e banorëve të saj.

Top Channel