Qëndrimi amerikan në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës nuk ndryshon, e këtë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier e nënvizoi edhe një herë në një përgjigje me shkrim për REL.
Ai kujtoi se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunuat me shumicë serbe, mbahen në pajtueshmëri të plotë me predispozitat ligjore. Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, përfaqësuesi i SHBA-së tërhoqi vëmendjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, theksoi ai, ndërsa kërkoi në të njëjtën kohë nga Qeveria e Kosovës që të tregojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposavicit. Por kështu votohet edhe për dy kuvende komunale, në Zveçan dhe Leposavic. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb.
Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, ka deklaruar se do t`i bojkotojë zgjedhjet me pretendimin se nuk janë përmbushur dy kërkesa të saj: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Top Channel