Sondazhi i Top Channel-Angi Richerce/ Si e shohin shkodranët gjendjen e Shqipërisë dhe ekonominë?

20/04/2023 21:34

Si jetohet sot në Shqipëri?

Top Channel në bashkëpunim me kompaninë e kërkimeve dhe sondazheve “Angi Richerce” prezantojnë në emisionin “Top Story” sondazhin e parë parazgjedhor për Bashkinë e Shkodrës.

Historikisht një bastjon i së djathtës, Shkodra vlerëson negativisht nivelin e jetesës në Shqipëri, megjithëse surprizuese është edhe përqindja e zgjedhësve që mendojnë se po jetohet mirë. Nga 811 persona me të drejtë vote të intervistuar, 35.8% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, nga ku: 8.7% vlerësojnë se jetohet shumë mirë, dhe 27.1% mirë.

Sakaq, prevalon numri i shkodranëve të pakënaqur me qeverisjen, teksa 38.5% e të anketuarve përgjigjen se jetohet keq, dhe 25.7% jetohet shumë keq.

Shkodra vlerëson si problematikën kryesore të vendit krizën ekonomike. Rreth 49.3% e të anketuarve kanë vendosur inflacionin në krye të listës me probleme në vend. E ndjekur pas nga papunësia dhe mungesa e punës me 40.7% e të intervistuarve. Varfëria me 34.1% e të anketuarve, emigracioni me 32.7%, paga të ulëta 18.7%, qeverisja e keqe 18.7%, korrupsioni 16.4%, kultura dhe turizmi 13.9%, kriza politike 12.4%, pensionet e ulëta 12.3%, krimi dhe siguria publike 12.1%, infrastruktura dhe transporti me 9.2%, dhe për të përmbyllur tabelën, në fund të listës së problemeve për shkodranët është lufta ruso-ukrainase me 8.3%.

I pyetur për sjelljen e anketuesve, marrë parasysh faktin se Shkodra njihet në përgjithësi si qytet i kulturës, me njerëz që duan të përfshihen në jetën politike, drejtori i kërkimeve në “Angi Richerce” Fabio Biccari tha se ka një dëshirë të madhe të tyre për të marrë pjesë në politikë.

Në fakt jo vetëm në Shkodër por edhe në bashkitë e tjera ku janë bërë anketime, thotë Biccari, dëshira e zgjedhësve për përfshirje në vendimmarrjen politike është e madhe.

“Të gjithë njerëzit iu janë përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndryshe nga qytetet e tjera, në Shkodër është ndryshe pozicionimi që i jepet papunësisë kundrejt emigracionit. Në fakt ajo çka kemi vënë re jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë, ka një dëshirë të madhe nga ana e njerëzve të intervistuar për të marrë pjesë në jetën politike”- tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA