Nga Erion Veliaj te Këlliçi, Bejko e Përnaska/ Sa të informuar janë tiranasit mbi kandidatët për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 Majit

20/04/2023 23:03

Zgjedhja e organeve të qeverisjes vendore është një proces tepër i rëndësishëm që iu jep mundësinë shqiptarëve të ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë për të zgjedhur me zgjuarsi drejtuesit lokal me qëllim përmirësimin e jetesës. Mirëpo, sa të informuar janë kryeqytetasit për datën e zgjedhjeve?

Nisur nga rëndësia e pushtetit vendor dhe ndikimi që ai ka në përditshmërinë tonë, Top Channel në bashkëpunim me Angi Richerce ka organizuar një sondazh mbi pritshmëritë politike në Tiranë, i dyti për kryeqytetin përpara zgjedhjeve të 14 majit.

Të pyetur nëse kanë dijeni që 14 maji, me dekret të Presidentit të Republikës, është vendosur si datë zgjedhjesh, 82.6% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, sakaq 17.4% nuk ishin fare në dijeni.

Gjashtë ditë nga çelja e fushatës elektorale, pyetjes nëse i njihnin kandidatët zyrtarë të propozuar nga partitë kryesore dhe koalicionet politike, 94.7% e kryeqytetasve me të drejtë vote të anketuar u përgjigjën se e njohin Erion Veliajn – kryetar Bashkie i Tiranës për 2 mandate, që garon për t’u rikonfirmuar edhe njëherë të tretë me qëllim mbylljen e punëve të pambaruara.

Ndërkohë, 84.9% e të anketuarve thanë se njihnin kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi. Roland Bejkon nga Partia Demokratike e njihnin 62.7% e të anketuarve, Marko Dajtin nga Fronti i Majtë e njihnin 62.1% e të anketuarve, Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë njihej nga 61.3% e të anketuarve dhe Lajla Përnaska e PDIU-së nga 60.6% e të anketuarve.

Shifra të tilla tregojnë dëshirën dhe interesin e tiranasve për t’u informuar dhe marrë pjesë në vendimmarrjen dhe jetën politike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA