Agjenti i taksave pretendon për keqmenaxhim të hetimit ndaj Hunter Biden-it

20/04/2023 20:50

Një agjent i posaçëm i agjencisë përgjegjëse për mbledhjen e taksave federale të SHBA-ve (IRS) po kërkon mbrojtje nga ligji për sinjalizuesit, për të dhënë informacione mbi atë që ai pretendon se është keqmenaxhim, i një hetimi ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden.

Kërkesa u drejtohej ligjvënësve nëpërmjet një letre dërguar të mërkurën.

Mark Lytle, avokati i agjentit, u shkruante ligjvënësve se klienti i tij ka informacione në lidhje me atë që ai e ka cilësuar si “dështim për të zbutur pasojat e konfliktit të hapur të interesit në lidhje me një hetim penal mbi taksat e Hunter Biden-it, si dhe në një rast ku pretendohet se ai ka bërë deklarata të rreme mbi blerjen e një arme”.

Megjithë rreziqet serioze për hakmarrje, klienti im është i gatshëm të ofrojë informacionin e nevojshëm që do t’i ndihmojë të ushtroni funksionin tuaj të mbikëqyrjes kushtetuese, me një qasje jopartiake, e përpara drejtuesve të komisioneve përkatëse që përfaqësojnë të dyja anët e politikës“, shkruante zoti Lytle në letrën drejtuar kryetarëve dhe anëtarëve të disa komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Në letër thuhet se agjenti i posaçëm e kishte ndarë më parë këtë informacion edhe brenda agjencisë së Taksave, si dhe me përfaqësuesit e një organi mbikëqyrës që punon për llogari të Departamentit të Drejtësisë. Zoti Lytle shtonte se klienti i tij është në gjendje të kundërshtojë edhe dëshminë e bërë nën betim para ligjvënësve, nga një funksionar i lartë politik, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Agjenti special dëshiron gjithashtu të japë informacion me shembuj mbi “trajtimin preferencial si dhe anashkalimin e standardeve në zbatimin e vendimeve e protokolle, të cilave normalisht u përmbahet çdo punonjës i zbatimit të ligjit, përjashtuar rastet kur ai ka lidhje politike”, shkruhej në letrën e avokatit.

Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Ekipi ligjor i Hunter Biden-it nuk bëri asnjë koment dhe po kështu agjencia e Taksave nuk i është përgjigjur ende një kërkese të AP-së për koment.

Çështja e taksave të Hunter Biden-it dhe veprimtaritë e tij të biznesit jashtë vendit kanë qenë nën hetim federal nga një juri e madhe e ngritur në shtetin e Dellauerit, që nga viti 2018. Deri më tani ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë. Po kështu pjesëmarrja e tij në bordin e një kompanie ukrainase të energjisë, si dhe përpjekjet e tij për të siguruar disa marrëveshje në Kinë, kanë ngritur prej kohësh pikepyetje në mesin e republikanëve, nëse Hunter Biden ka përdorur pozitën publike të babait të tij.

Joe Biden ka thënë se ai kurrë nuk ka biseduar me djalin e tij lidhur me bizneset që ai ka patur jashtë vendit. Po kështu nuk ka të dhëna që tregojnë se pjesë e hetimit federal është edhe presidenti.

Muajin e kaluar gjatë një seance dëgjimore në Kongres Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se ai nuk do të ndërhyjë në hetimet që po kryhen nga departamenti.

Ai i tha komisioni Gjyqësor i Senatit e ka lënë çështjen në duart e Prokurorit David Weiss, prokurorit më të lartë federal në Dellauer, i cili ka fuqinë ta zgjerojë hetimin edhe jashtë shtetit, nëse do të ishte e nevojshme.

Letra e avokatit të agjentit të taksave, e njoftuar fillimisht nga gazeta ‘The Wall Street Journal’, vjen pasi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë filluar hetime në pothuajse çdo aspekt të marrëdhënieve të biznesit të Hunter Biden-it, përfshirë shqyrtimin e pagesave ndërkombëtare dhe aspekte të tjera të financave të tij.

Republikani James Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka udhëhequr hetimet e ndryshme kundër Hunter Biden-it, tha se letra e sinjalizuesit është dëshmi e mëtejshme e rëndësisë së shqyrtimit që po kryen Kongresi ndaj presidentit dhe familjes së tij.

Është thellësisht shqetësuese që administrata Biden mund të jetë duke penguar drejtësinë duke bllokuar përpjekjet për të ngritur akuza ndaj Hunter Biden-in për shkelje lidhur me taksat“, tha zoti Comer në një deklaratë të lëshuar të enjten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA