Biznesmeni dhe politikani lokal në Lezhë, Ardian Nikulaj, u ekzekutua me armë zjarri mesditën e kësaj të mërkure në Shëngjin. Ndërsa policia ka si pistë kryesore hetimore gjakmarrjen, nën “ethet” e fushatës është përfolur se Nikulaj mund të jetë vrarë edhe për motive politike.
Ngjarjet kriminale që kanë shoqëruar personazhe të përfshira në procesin zgjedhor në Lezhë, si vrasja e simpatizantit të LSI-së, Gjon Gjoni, në qershor të 2013-ës, duke lënë të plagosur edhe kandidatin e PD, dhe njëherazi nënkryetarin e qarkut, Mhill Fufi, të përforcojnë dyshimet se mund të jetë politike.
Megjithatë, ndryshe nga se pretendohet, nisur edhe nga ambicja e Nikulaj për të marrë 5 këshilla bashkiak në zgjedhjet e 14 Majit për koalicionin “Ora”, gazetarja Anila Hoxha përmes një profilizimi të të viktimës tregon se Nikulaj nuk është ai “hambari i votave” që pretendohet.
Për emisionin “Top Story”, Hoxha tha se nisur nga të dhënat e KQZ-së për zgjedhjet e shkuara, i ndjeri nën siglën e PSD-së, mundi të grumbullonte 319 vota. Shifrat, të cilat janë publike dhe të aksesueshme për këdo që ka interes, sygjerojnë se shanset janë të larta që 50-vjeçari të jetë ekzekutuar për hakmarrje sesa për çështje politike.
“Të dhënat e KQZ-së për zgjedhjet e kaluara ku i ndjeri kandidoi nën siglën e PSD-së, pavarësisht forcës dhe dominancës që thuhet të tij, janë 319 vota.
Teksa pash në të dhënat e KQZ-së, për të kuptuar se cili ishte hambari i tij i votave që janë mbledhur dhe janë vetëm 319 vota. Është e vërtetë dhe janë publike tanimë minutë pas minute të dhënat mbi ambicjet e tij për këshillin bashkiak. Megjithatë, pavarësisht shumë pistave që ka ngritur grupi i hetimit dhe prezencës edhe të krerëve më të lartë të policisë së shtetit, përfshirë edhe Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamed Rrumbullaku, që ndodhet tanimë në zonën ku ka ndodhur krimi, pista kryesore vijon të jetë ajo e hakmarrjes dhe gjakmarrjes për shkak se xhaxhai i viktimës, Gjergj Nikulaj në vitin 2000 ka kryer një krim të dyfisht në drejtim të dy vëllezërve të një familje tjetër dhe për këtë arsye ai është dënuar dhe është shpallur fajtor nga drejtësia për vrasje me dashje dhe ka dalë, ka lënë burgun 3 vite më parë.
Është e vërtetë që i ndjeri qarkullonte me automjet të blinduar, por në polici nuk ka çuar asnjë ankesë, nuk ka paraqitur asnjë kërcënim të mundshëm apo dyshim të tij dhe kohët e fundit nuk është shfaqur më me automjet të blinduar”– deklaroi Hoxha.
Vlen të theksohet se, gjatë një konflikti të vjetër në vitin 2000, anëtarë të familjes Palaj vranë vëllain e Ardian Nikulaj, çka solli një valë hakmarrje mes dy fiseve, me këta të fundit që ekzekutuan dy anëtarë të familjes Palaj për të larë gjakun.
Top Channel