Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se institucionet janë duke bërë përgatitjet e fundit që zgjedhjet e 23 prillit në veri të jetë të qeta dhe demokratike.
Kurti tha se nuk kanë asnjë informacion që do t’i bënte të mendojnë se po përgatiten pengesa ndaj procesit zgjedhor, përveç siç shtoi frikësimit mediatik të serbëve në veri nga propaganda e mediave të afërta me pushtetin në Beograd.
“Ne i zhvillojmë takimet me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe po bëjmë përgatitjet e domosdoshme në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë, ndershme dhe demokratike…Nuk kemi informacione të tilla (për destabilizim). Ne kemi shkëmbyer të dhënat dhe analizat me njëri-tjetrin. OSBE është për bashkëpunim dhe siguri, por nuk kemi arsye të besojmë se do të ketë çfarëdo pengesash ditën e diel. Mua më vjen keq që qytetarët serbë të Kosovës i janë nënshtruar një propagande të egër të mediave nga Beogradi që janë të afërta me pushtetin atje që të mos tregohen konstruktiv dhe mos të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar…Ne nuk kemi informacione të cilat do të na bënin të mendojmë se po përgatitën pengesa apo pengime të këtij procesi, përveç frikësimit mediatik”, tha ai.
Krahas zgjedhjeve në veri, Kurti foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjes bazë me Serbinë. Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta detyrojë Serbinë që ta zbatojë ujdinë e dakorduar në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në anën tjetër, Kurti tha se ende nuk është themeluar Komisioni i përbashkët mbikëqyrës për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes bazë, pavarësisht se është konsumuar afati i paraparë prej 30 ditësh.
“Përbërja e tij duhet të jetë nga Kosova, ndërmjetësit evropian dhe Serbia. Nuk është ende deri më sot dhe kjo varet kryekëput nga Brukseli. Siç e dini ne nuk kemi juridiksion në Serbi, këtë e kemi në Republikën e Kosovës dhe i përket faktorëve ndërkombëtar që të detyrojnë palët tjetër që të jetë më e përgjegjshme për zbatim. Qartazi bëhet fjalë për një marrëveshje me gjithë aneksin e saj si pjesë integrale e cila nuk paraqet një tërësi të elementeve por një pako që nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë. Ne jemi zotuar dhe kemi ripërsëritur qëndrimin tonë për zbatim të plotë të kësaj pako, kësaj marrëveshje bazë dhe aneksit përkatës për implementim. Tash besoj se fjalën e ka Brukseli që të detyrojë Serbinë për këtë. Shpresoj që do të jetë shumë shpejtë i themeluar ky ekip, komision, komitet i përbashkët i cili do të jetë si mekanizëm për zbatim. Pse jo, le të bëhet edhe më herët se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë në Bruksel…Nuk ka Kosova që të bëjë hapin e dytë, para se Brukseli të bëjë hapin e parë. Njëherë ata duhet të na thërrasin që ne të dërgojmë përfaqësuesin, të shohim se kush do të jetë saktë edhe nga pala e tyre dhe në momentin e duhur ne do të themi vendim tonë”, shtoi Kurti.
Këto komente Kurti i bëri pas vendosjes së gurthemelit të objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Top Channel