Papa Françesku ka folur për një skandal para disa dekadash të Vatikanit të dielën, duke hedhur poshtë akuzat se Papa Gjon Pali II i ndjerë, kërkonte vajza të mitura për t’i ngacmuar.
Komentet e Papës ishin në lidhje me zhdukjen e Emanuela Orlandi, një vajzë 15-vjeçare që jetonte në Vatikan dhe nuk u kthye më në shtëpi më 22 qershor 1983.
Zhdukja e saj 40 vjet më parë, pas një kursi muzike në Romë, është një nga misteret më të mëdha të Italisë dhe hyri në një kapitull të ri të martën, kur vëllai i saj Pietro Orlandi u takua me kryeprokurorin e Vatikanit Alessandro Diddi, të cilin vetë Françesku i ka dhënë dorë të lirë për t’i shkuar deri në fund këtij rasti.
Pasi foli me kryeprokurorin Diddi për më shumë se tetë orë, Pietro u shfaq në një program televiziv. Ai publikoi një pjesë të një regjistrimi audio me zërin e një njeriu, që pretendon se ishte pjesë e një grupi të krimit të organizuar dhe që mediat italiane kanë spekuluar për dekada të tëra se mund të ketë qenë i përfshirë në zhdukjen e motrës së tij.
Sipas këtij regjistrimi, ky person thotë se më shumë se 40 vjet më parë, vajzat u sollën në Vatikan për t’u ngacmuar dhe se Papa Gjon Pali do të dilte për të kërkuar vajza të mitura.
Kjo gjë është dënuar nga zyra e Vatikanit ditët e fundit dhe vetë Papa Francesku gjatë një fjalimi në Sheshin e Shën Pjetrit, me 20 mijë njerëz të pranishëm u shpreh: I sigurt që po interpretoj ndjenjat e besimtarëve nga e gjithë bota, shpreh një mendim mirënjohës për kujtimin e Shën Gjon Palit, i cili në këto ditë ka qenë objekt i insinuatave fyese dhe të pabaza.
Turma kryesisht italiane shpërtheu në duartrokitje.
Pietro Orlandi, i cili është zotuar të zbulojë se çfarë ka ndodhur me motrën e tij, tha për Reuters të dielën se Françesku mbrojti Gjon Palin II. Orlandi shtoi se gjatë programit televiziv, ai po përsëriste atë që kishin thënë të tjerët, sepse vetë nuk ka parë asnjë gjë.
Drejtori i redaksisë së Vatikanit, Andrea Tornielli, dënoi komentet e Orlandit si një fyerje të rëndë të papës, i cili u shpall shenjt në 2014.
“Askush nuk meriton të shahet në këtë mënyrë, pa asnjë të dhënë, mbi bazën e “thashethemeve” të ndonjë figure të panjohur në botën e krimit apo të ndonjë komenti të poshtër anonim të prodhuar në TV live”, tha Tornielli.
Kardinali Stanislaw Dziwisz, i cili ishte sekretari i Gjon Palit gjatë gjithë udhëheqjes së tij, i quajti veprimet e Orlandit “të pavlera, joreale, madje edhe kriminale”.
Emanuela u zhduk më 22 qershor 1983, pasi la apartamentin e familjes së saj në qytetin e Vatikanit, për të shkuar në një kurs muzike në Romë. Babai i saj ishte një punonjës laik i Selisë së Shenjtë.
Gjatë katër dekadave të fundit varret janë hapur, eshtrat janë zhvarrosur nga varrezat e harruara dhe teoritë e konspiracionit janë të shumta.
Ndër teoritë kanë qenë ato që e lidhin zhdukjen me pasojat e atentatit të dështuar kundër Gjon Palit në 1981 në Sheshin e Shën Pjetrit ose me skandalin financiar ndërkombëtar mbi bankën e Vatikanit.
Ende teori të tjera parashikojnë një rol të luajtur nga bota kriminale e Romës.
Rasti, i cili ka qenë objekt i hetimeve të vazhdueshme në Itali dhe Vatikan, ka tërhequr vëmendjen e re në mbarë botën, pas publikimit në fund të vitit të kaluar të serialit Netflix ‘Vajza e Vatikanit’.
Seriali eksploroi skenarë të mundshëm dhe dha një dëshmi të re nga një mike e cila tha që Emanuela i kishte thënë asaj një javë përpara se të zhdukej, se një klerik i lartë i Vatikanit, ishte përfshirë në akte seksuale me të. Ajo do të ishte 55 vjeç tani. Vëllai i saj ka këmbëngulur prej kohësh se Vatikani di më shumë sesa ka thënë.
Top Channel