Komedia “Borgjezi fisnik” e dramaturgut francez Molier, u shfaq premierë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit mbrëmjen e së dielës.

E përshtatur dhe nën regjinë e Driada Dervishit komedia muzikore vjen në 70-vjetorin e teatrit profesionit të Durrësit. Ajo ngjiti në skenë një trupë të madhe aktorësh profesionistë që përfaqësojnë personazhe të ndryshme të jetës shoqërore dhe raportin e tyre me paranë dhe fuqinë e saj tek njerëzit.

Me një skenografi dhe kostumografi të spikatur, komedia është e konceptuar si një spektakël ku gjen jo vetëm interpretimin e aktorëve Gentian Zenelaj, Mimoza Marjanaku, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Andia Xhunga, Xheini Fama, Ervin Doko, Suela Bako, Marvin Tafaj, Jaho Guma, Alesia Xhemalaj, por edhe muzikën e kompozitorit të mirënjohur Hajg Zaharian të krijuar enkas për këtë komedi, si dhe interpretimin live të sopranos Linda Kazani. Me pjesëmarrjen e tyre të veçantë spikatën dhe aktorët Roland Koça dhe Met Xhelili.

Përmes batutave dhe skenave që nxjerrin në pah marrëdhënien e veçantë të personazheve me paranë dhe fuqinë e saj në transformimin e njeriut, komedia “Borgjezi fisnik” është dhe një moment reflektimi mbi paranë, familjen, miqësitë e rreme dhe dashurinë. Komedia u mirëprit nga publiku i shumtë që mbushi sallën e teatrit. Ajo do të rikthehet në teatrin e Durrësit nga data 20 deri më 23 prill.

Top Channel