Një 44-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi është kapur duke vjedhur sende në disa mjete në qytet.

Në kuadër të operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe arrestuan në flagrancë në tentativë për të vjedhur sendet personale në një automjet, në lagjen nr.4 Durrës, shtetasin J. V., 44 vjeç, banues në Durrës.

Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv dhe veprimeve të kryera gjatë momentit të arrestimit të 44-vjeçarit, është bërë i mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të vjedhjes së sendeve në automjete, nga ky shtetas.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi J. V., gjatë muajit prill 2023, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, në 6 raste, pasi ka thyer xhamat e automjeteve, me sende të forta, ka vjedhur sende të ndryshme në këto automjete.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin edhe të disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA