Nën moton “Pagat e reja”, kryeministri i vendit Edi Rama ka premtuar dyfishim të pagës mesatare deri në vitin 2024, duke arritur në këtë mënyrë majën historike.
“Do të mbërrijmë kryelartë në 900 euro pagë mesatare“, është shprehur kryeministri Edi Rama.
Ekspertët e ekonomisë e shohin më skepticizëm këtë premtim.
“Rritja e pagave është premtuar në mënyrë të tillë që është e krahasueshme me firmat piramidale. Ka 0 shanse që qeveria t’i rrisë pagat 900 euro brenda vitit 2024. Është një deklaratë absurde dhe një gënjeshtër elektorale e pacipë. Nuk është e mundur që në një ekonomi që rritet me 5% në vit, ti të bësh lëvizje, pra rritje pagash me 20% në vit, sepse paratë dalin po nga kjo ekonomia që rritet me 5% në vit. Nuk mundet që paratë të dalin nga asgjëja.
Një faktor tjetër që është shumë i rëndësishëm, duhet të kemi parasysh që Edi Rama I ka bërë lekët koncensione dhe nuk i ka bërë paga. Kështu që përsa kohë ai ka bërë koncensione dhe kontratat koncensionare vazhdojnë të paguhen, natyrisht që nuk ka para për të paguar paga më të larta. Është gënjeshtër e pacipë e një kryeministri që është përballë përgjegjësisë që ka 10 vjet në qeveri dhe ekonomia nuk rritet.
Një situatë e tillë ka ekzistuar në Serbi, një dekadë pas rënies së Millosheviçit, kur qeveria bënte zgjedhje një herë në dy vjet. Sa herë bënte zgjedhje rriste pagat me 20%, kjo gjë shkaktonte rritje të çmimeve me 20%, pastaj bëheshin zgjedhje dhe rifillonte nga e para gjithçka.
Ne nuk jemi në të njëjtat kushte, pasi Banka Qendrore është e pavarur dhe nuk ka dhënë shenja që do të financojë qeverinë drejtpërdrejt, rrjedhimisht që kjo mbetet një përrallë paraelektorale”, shpjegon Gjergji Erebara, ekspert për Ekonominë.
Top Channel