Besimtarët ortodoksë në qytetin e Vlorës pritën në mesnatë ringjalljen e Krishtit në Kishën e Shën Theodhorit drejtuar nga At Kostandin Prifti.
Ceremonia e shenjtë u ndoq nga besimtarë të shumtë ortodoksë, brenda dhe jashtë ambienteve të kishës, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë.
Besimtarët ortodoksë vlonjatë morën pjesë në meshën për ringjalljen e Krishtit, që u drejtua nga At Kostandini, i cili drejtoi edhe lutjen e traditës sipas liturgjisë, duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.
Sot, besimtarët i drejtohen përsëri Kishës për të të marrë pjesë në shërbesën e dritës që ka përcjellë ringjallja e Krishtit, ndërsa janë ftuar dhe autoritetet vendore të marrin pjesë në pritjen e organizuar nga kisha e Shën Theodhorit me rastin e festës së Pashkëve.
Top Channel