“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall!”
Ky ka qenë refreni i të gjithë besimtarëve ortodoksë këtë të dielë ku kanë kremtuar festën e Pashkës , ndër festat më të rëndësishme të këtij besimi që simbolizon triumfin e jetës ndaj të keqes, vdekjes.
Paraditen e së dielës besimtarët kanë ndezur qirinj në “Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit” për të çuar në shtëpi dritë nga drita e Jezukrishtit i cili tanimë u ngjall vërtetë.
“Erdhëm edhe mbrëmë edhe sot, e kemi si traditë. Gjithë javën e Pashkës vijmë çdo ditë”, tha një besimtare.
“Është dita që duhet të vish, simbolizon shëndetin dhe mbarësinë”, tha një tjetër besimtare.
Besimtarët kanë ndjekur meshën e madhe të shtunën pas mesnate, moment i cili kulmon me këmbanat që njoftojnë ngjallje e Jezu Krishtit tre ditë pasi u kryqëzua.
“Është festa e jetës, sepse Zoti tashmë i dha jetës së njeriut një dimension të ri, atë kundër vdekjes, jetën në përjetësi. Zoti thotë kush beson tek mua do të ketë jetë dhe ai dha trupit të tij njerëzor që mori i dha dimension e ri, e ngjalli nga të vdekurit. Dhe nuk ka gjë më të bukur kur njeriu tashmë e ka mundur armikun e tij, vdekjen”, tha at Nikolla.
Dhe çdo familje ortodokse këtë të dielë është mbushur plot me gëzim e festë ku nuk mungojnë ushqimet simbolike që nga vezët e kuqe – simbol i vazhdimësisë së jetës, buka e ëmbël, mishi i qengjit dhe shumë urime për njëri tjetrin për sa më shumë paqe, mirësi e shpresë për jetën.
Top Channel