Nga Shëngjergji, ku u takua me banorët e zonës, kryetari i PS të Tiranës, Erion Veliaj tha se koalicioni i Berishës dhe Metës nuk ka as vulë, as emër, sepse kanë frikë se demokratët e vërtetë nuk i votojnë.
Ai bëri edhe disa pyetje lidhur me shpenzimet e koalicionit për hapjen e fushatës dje në stadiumin Arena Kombëtare.
“E patë te stadiumi? 100 mijë euro miting për të dëgjuar njëri-tjetrin, ndërkohë që flet (Berisha) tërë kohës për varfëri. Për një parti politike, e cila nuk merr as lekë nga KQZ-ja, pyetja është: Nga vijnë lekët?”, deklaroi ai.
“Jo vetëm që u ka humbur vula, por te ai koalicioni nuk dinë as kë emër të vënë, se kanë turp. Po të vënë emrin e Ilir Metës mërziten demokratët, se thonë: ‘Si do votoj unë për Ilir Metën?’. Po të vënë emrin e Sali Berishës, ai është non-grata, nuk mund ta vënë në fletën e votimit. Mirë që u ka humbur vula, por tani u ka humbur edhe emri. Ata janë pa emër dhe pa vulë. Këta janë njerëz që kanë turp nga emri i tyre”, u shpreh Veliaj.
Ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium: “Po shikoja videot, kishin ikur edhe ata vetë. Imagjino, jo vetëm që nuk i ndjek më shumica e popullit, por edhe shumica e militantëve e kishte zbrazur stadiumin pa folur Saliu dhe Iliri. Do të thotë se edhe ata e kanë kuptuar që nuk bëjnë dot hajër. Më shumë vajtën për kuriozitet, për të parë stadiumin, që e kishin sharë aq shumë, sesa për të dëgjuar fjalimet, se e zbrazën sapo bënë fotografitë dhe selfiet”, u shpreh Veliaj, gjatë takimit me banorët e Shëngjergjit.
Ai tha se zgjidhja sot është shumë e thjeshtë. “Ka dy grupime: një grupim përfaqësohet nga ata non-grata, të cilët edhe sikur të duan të ecin përpara, nuk ecin dot se deri në Rinas shkojnë, nuk i lënë të kalojnë kufirin, janë ‘non grata’. Ndërkohë, ne kemi treguar që duke ecur përpara, duke i bashkuar njerëzit, duke i përveshur mëngët dhe duke i çuar punët deri në fund kemi mbërritur sot në një situatë kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë,” u shpreh Veliaj.
Top Channel