Sezoni turistik veror është në prag dhe bizneset bregdetare kanë nisur më herët të mendojnë se si do të përballojnë fluksin e vizitorëve. E shqetësimi i tyre është i dukshëm për plotësimin e stafit si rrjedhojë e rritjes së punës.
“Kemi frikë të na shtohet aktiviteti. Fuqia punëtore është bërë si të them, plagë në zemër”- tha Sherif Durmishaj, peshkatar.
Sipërmarrësit janë duke provuar mënyra të reja të gjetjes së punonjësve, pasi sipas tyre një lajmërim I afishuar në biznes apo rrjete sociale nuk mjafton.
“Po tentojmë të gjejmë punonjës edhe në zona të thella malore, por edhe aty është vështirë se janë braktisur fshatrat”-tha Sherif Durmishaj.
Emigrimi po prek ndjeshëm zhvillimin e bizneseve. Sipërmarrësit turistik po vuajnë mbi të gjitha për punonjës të kualifikuar që të ofrojnë shërbim cilësor.
Sherif Durmishaj, siç të gjithë e njohin me emrin Kapedan Baci i cili prej gati dy dekadash ka një qendër peshkimi dhe restorant të vogël buzë Rradhimës, shpreh dëshpërimin për largimin e të rinjve e ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në vendlindje sipas tij nuk kanë interes të marrin zanatin e peshkimit.
“Unë jam i detyruar të mbaj në punë një grua që më del në pension, jo sepse është produktive por sepse nuk po gjejmë”- tha Sherif Durmishaj.
Kapedan Baci që gjatë dimrit ka hapur fjalën që është në kërkim të një familje prej 4 anëtarësh për ta punësuar, por edhe pse kanë kaluar 5 muaj askush nuk është paraqitur në biznesin e tij. Pavarësisht se është zotuar që përveç pagës, do të përmbush nevojat e tyre.
“Ofroj kontratë, pagë të kënaqshme për secilin prej anëtarëve. Akomodim falas, edhe një makinë në dispozicion”- tha Sherif Durmishaj.
Top Channel