![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/787878787-800x450.jpg)
Në këtë javë të shenjtë të Pashkëve Ortodokse, ne kemi kënaqësinë të zhvillojmë një bisedë me besimtaren Tefta Kreçi, 73 vjeç.
Tefta Kreçi, Besimtare Ortodokse: Pashkët në fëmijërinë time ishin shumë të bukura. Një javë para tyre prindërit shkonin në Korçë dhe blinin qirinjtë, na blinin sandale dhe fustane të reja, se atëherë kështu ishte një fustan për Pashkë. Ngjyrosnim vezë dhe që të enjten fillonim me pastrimin gjeneral të shtëpisë. Atëherë në fshat thernim edhe bagëti të vogla, se kishte keca. Festohej shumë bukur. Në kohën e diktaturës, festonim fshehurazi, gjithçka bëhej fshehur. Unë lutem që kjo festë të kalojë sa më bukur, sa më mirë, të bashkuar me familjet tonë. Unë kam patur fat që I kam fëmijët këtu afër, dhe nuk kanë ikur në emigrim. Edhe djali që studio jashtë vendit u kthye në Shqipëri.
Kreshma fillon 40 ditë para Pashkëve që thonë të lidhurit e djathit dhe të lidhurit e mishit. Unë vetë nuk mbaj dot kreshmë, por mirë është të mbahet një javë.
Të enjten në mëngjes filluam të bëjmë vezët e kuqe. Të enjten mund të ngjyhen gjithë ditën. Të premten nuk bëhet asnjë, nuk lan, nuk gatuan, asgjë, pasi është si ditë zie. Të shtunën dhe të dielën mund të ngjyesh sërish vezë. Mishi është kryesori. Tani jam duke përgatitur bukën e Pashëve. Brumi ka ardhur, po I vendos edhe këtë vezën e kuqe në qendër dhe gati për t’u pjekur në furrë. Ka përgatitur edhe ëmbëlsirë kadaif të mbledhur role me petë. Fëmijët e mi, e po ashtu edhe nipërit e mbesat janë pagëzuar. Kjo është një qëndismë që e kam bërë vetë, është Shën Maria dhe fëmija Krisht. Sonte në orën 12.00 do të shkojmë në kishë, kur edhe ringjallët Krishti, do të marrim flakën nga kisha dhe do ta sjellim në shtëpi e do të urojmë Krishti u ngjall, vërtet u ngjall.
Top Channel