Kryetari i PS në Tiranë, Erion Veliaj tha se fushata do të jetë pozitive dhe bashkëpunuese, e madje ftoi edhe demokratët të votojnë Partinë Socialiste në 14 maj, si e vetmja forcë që e çon qytetin dhe vendin përpara.
Në takimin me banorët e Zall-Bastarit, Veliaj nënvizoi se fushata e mbjelljes së pemëve simbolizon bashkim.
“Ne nuk e bëjmë këtë punë se kemi inat njeri, por e bëjmë këtë punë sepse e kemi pasion, se e duam njëri-tjetrin, duam të bashkojmë komunitetin dhe që gjërat të ecin përpara. Në këtë kuptim dua një fushatë pozitive, pa të shara, pa debat. Nëse ata (opozita) nuk binden nga puna, nuk ka problem, në demokraci biem dakord që të mos biem dakord. Por, nëse duan të kthehemi të torta e Pavarësisë, te zaptimi i Lanës, te zaptimi i Parkut Rinia, është punë e tyre. Megjithatë, unë besoj se shumica dërrmuese, siç është provuar në çdo palë zgjedhje, në Zall-Bastar do që gjërat të shkojnë vetëm përpara. Me këtë simbol të bukur të mbjelljes së pemëve, ne duam që në çdo komunitet të mbillet pastërti, jo pisllëk, të mbillet dashuri, jo inat, jo urrejtje, të mbillet bashkim, jo përçarje dhe në një vend ku një pjesë e politikës mbjell vetëm sherr dhe helm, ne duhet të jemi ilaç, pastërti, dashuri, mirësi dhe mbarësi”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se të votosh për Partinë Socialiste është të votosh për punën dhe ecjen përpara.
“Ata e kanë hallin të fusin sa më shumë njerëz te gropa e tyre, ndërkohë ne duam të nxjerrim sa më shumë njerëz edhe nga gropa e varfërisë, edhe e mungesës së infrastrukturës, edhe mungesës së mundësisë që të kemi gojën e të themi: sa ishim, i bashkuam njerëzit, nuk i përçamë; sa ishim u fokusuam te puna, jo tek dhuna; sa ishim, i ngritëm njerëzit lart, nuk i shamë, as fyem dhe as i ofenduam dhe sa kishim takat e mundësi, bëmë më të mirën për t’i shërbyer komuniteteve tona të jashtëzakonshme, duke filluar këtu në Zall-Bastar dhe në të gjithë territorin e Tiranës së madhe”, tha Veliaj.
Top Channel