Eurodeputetja greke e milionave të Katarit, lirohet nga burgu në Belgjikë, shkon në arrest shtëpie me gjurmues në kavilje (fotot)

14/04/2023 18:12

Një ish-deputete greke e Parlamentit Evropian e akuzuar për korrupsion e marrje rryshfeti në skandalin e pagesave nga Katari, është liruar sot nga burgu për t’u lënë në arrest shtëpie.

44 vjeçarja ish-zëvendës kryetare e PE është pajisur gjithashtu me një gjurmues elektronik në kavilje teksa pret gjyqin për përfshirjen e saj në një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit në Institucionet evropiane.

Ish-prezantuesja televizive greke e kthyer në politikane të socialistëve, doli sot bashkë me avokatin nga burgu i Haren në veri të Brukselit për të hipur në një Mercedes krejt të zi që e priste, për të shkuar më pas në apartamentin e saj pranë Parlamentit Evropian.

Aty ajo doli pak në dritare për të folur me gazetarët.

Kaili dhe disa zyrtarë të tjerë të BE akuzohen se kanë marrë rryshfet nga Katari dhe vende të tjera për të influencuar në vendimet politike të BE.

Duke folur me gazetarët nga makina, Kaili tha: “Po më pret vajza kështu që do të jem me të dhe jam shumë e lumtur. Do të vazhdoj betejën ligjore me avokatët e mi. Do t’ju njoftoj së shpejti”, tha ajo.

Në dhjetor të vitit të kaluar në banesat e Kaili dhe tre të ndaluarve të tjerë u kapën më shumë se 1.5 milionë euro para të thata që vinin nga rryshfetet e marra në kuadër të detyrës.

Kaili rrjedhimisht u shkarkua nga posti i zv. Kryetares së PE dhe i përfaqësueses në Lindjen e Mesme, por ajo mbetet ende një eurodeputete.

Ajo kaloi katër muaj në burg, më shumë se të gjithë të dyshuarit e tjerë të çështjes, ndërsa tani në arrest shtëpie do të jetë me gjurmuesin elektronik dhe nuk mund të largohet nga Belgjika.

I fejuari saj italian, ndihmësi parlamentar Francesco Giorgi, gjithashtu u përfshi nga akuzat por u lirua.

Dy të tjerët, eurodeputeti belg Marc Tarabella dhe ish-eurodeputeti italian Pier Antonio Panzeri, u liruan dje në arrest shtëpie, me gjurmues në këmbët e tyre.

FOTO GALERI
1/7
44 vjeçarja ish-zëvendës kryetare e PE është pajisur gjithashtu me një gjurmues elektronik në kavilje teksa pret gjyqin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA