Prokuroria e Vlorës nisi hetimet pas publikimit të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që zbuloi një skandal të madh të tjetërsimit të pronës së institucionit për fëmijët me aftësi të ndryshe, për tu ndërtuar më pas pallate.
Procedimi penal është bazuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërkohë që hetuesit kanë sekuestrohen një sërë dokumentesh që lidhen me rikontruksionin e objektit dhe deri tek mos regjistrimi i pronës si aset i Bashkisë Vlorë.
Ngjarja nuk është e panjohur për opinioni pasi emisioni investigativ në Top Channel, Fiks Fare e ka denoncuar disa herë skandalin në qendrën ku qëndrojnë personat me aftësi ndryshe në Vlorë.
Në muajin janar të vitit 2022, Fiks Fare denoncoi abuzimet me ndërtimin e godinës së Qendrës së Zhvillimit në Vlorë, ku megjithëse ishin shpenzuar plot 240 milionë lekë të vjetra me investimin e UNDP, sërish ishte e shkatërruar.
Në atë godinë qëndrojnë rreth 30 persona, të cilëve u është dashur që të jetojnë në një ambient të papërshtatshëm, krevate të shkatërruar, mungojnë dyer, ka lagështirë, myk apo edhe suva të rëna.
Tashmë po merren në pyetje personat e cituar në raportin e KLSH-së. Sipas raportit të KLSH-së, lënia si tokë “Shteti” për 15 vite, ka bërë që sipërfaqja e qendrës PAK të reduktohet ndjeshëm përgjatë viteve duke ju marrë një pjesë e konsiderueshme të saj.
Raporti i KLSH-së:
Pak ditë më parë ,nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit dolën në dritë një sërë problematikash në Qëndrën e Personave me Aftësi të Kufizuar, duke nisur që nga abuzimet e firmës që kishte kryer punimet dhe deri te problemet me ushqimin për fëmijët me aftësi të kufizuar. Në raportin e KLSH-së duket se është zbuluar një skandal akoma më i madh ,ajo e tentativës për të zaptuar pronën dhe hequr fëmijëve për tu kthyer më pas në një vend ku të ndërtohen pallate. “Bashkia Vlorë, rezulton se nuk ka kryer asnjë procedurë për të vijuar me regjistrimin e objektit në favor të saj, në kundërshtim me nenin 18, të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, i cili parashikon setë gjitha pronat, të cilat u kalohen në pronësi njësive të qeverisjes vendore sipas këtij ligji, do të regjistrohen në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me pronar njësinë përkatëse të qeverisjes vendore, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme” thuhet ndër të tjera në raport. Sipas raportit të KLSH-së, lënia si tokë “Shtet” për vite me radhë, ka bërë që sipërfaqja e qendrës PAK të reduktohet ndjeshëm përgjatë viteve duke ju marrë një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqes së saj . “Si pasojë e mos regjistrimit të truallit me nr. pasurie 24/1-T, kod unik 8602017041, në pronësi të bashkisë Vlorë dhe lënia për një kohë afërsisht 15-vjecare në pronësi “shtet”, mbi këtë truall kanë ndodhur ndryshimet si mëposhtë, por jo vetëm:
– Pas vitit 2007 rezulton se është hapur një rrugë, e cila shërben si rrugë kalimi për banorët të cilët banojnë pas truallit objekt auditimi.
– Në vitin 2011 rezulton se një subjekt privat ka fituar të drejta pronësie mbi sipërfaqen 29 m2, me anë të procesit të legalizimit. Kjo sipërfaqe është certifikuar në favor të subjektit privat në vitin 2017.
– Në vitin 2019 rezulton i lëshuar një vendim “Për kalimin në pronësi të objektit të ngritur para dt. 10.8.91 dhe të truallit të tij funksional”, me anë të së cilit janë fituar të drejta pronësie mbi truall.
Nisur nga kjo situatë e cila rrezikon tjetërsimin e kësaj prone të lakmuar në Lungomaren e Vlorës duke nxjerrë fëmijët e sëmurë në rrugë, KLSH ka urdhëruar marrjen e masave për nisjen e procedurave që kjo pronë ti shkojë bashkisë si aset, ashtu siç e parashikon ligji. “Bashkia Vlorë (drejtoria e pronave publike dhe menaxhimit të aseteve) të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për përditësimin, inventarizimin, transferimin dhe regjistrimin e ndërtesës dhe truallit në pronësi të saj.
-Bashkia Vlorë (drejtoria juridike), pas përfundimit të procedurave të regjistrimit në pronësi të saj të truallit dhe ndërtesës , të marrë masa për nxjerrjen e një akti administrativ (vendim këshilli bashkiak) me qëllim kalimin e pasurisë në administrim të QZHPAK, për ushtrimin e funksionit për të cilën kjo pasuri është transferuar.
-Bashkia Vlorë në bashkëpunim me organet kompetente, të marrë masa për sistemin e kufijëve të pasurisë truall dhe të rrugës së krijuar në përputhje me dokumentet e planifikimit të territorit.”
Top Channel