Ish-presidenti Donald Trump u paraqit të enjten në zyrën e Prokurores së Përgjithshme të New York-ut, Letitia James për padinë e saj civile për mashtrim.
Trump u thirr në zyrë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me çështjen, për të cilën nëse rezulton e vërtetë ai do t’i duhet t’i paguajë prokurores një shifër prej 250 milionë dollarësh, njëkohësisht mund të pezullohen aktivitetet e bizneseve në këtë qytet.
Autokolona e ish-liderit amerikan u pa duke hyrë në parkingun e zyrës së prokurores për të vijuar më pas bisedimet me dyer të mbyllura.
Ai i ka mohuar akuzat paraprakisht, ndërsa padinë e quajti qesharake. Njëkohësisht Trump e konsideron edhe raciste akuzën, për shkak se James është një grua me ngjyrë.
Avokatja e ish-liderit amerikan deklaroi se klienti i saj mbetet i vendosur në qëndrimin e tij dhe se nuk ka asgjë për të fshehur rreth pasurisë.
Ish-Presidenti Trump dhe avokatët e tij kanë deklaruar se paditë e prokurorëve të zgjedhur nga radhët e demokratëve janë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në ligj.
James e paditi Trumpin shtatorin e kaluar, duke e akuzuar atë, fëmijët e tij dhe Organizatën Trump së bashku me disa nga drejtuesit, për manipulimin e kostove reale të pasurive.
Ekipi ligjor i Trump më parë ka kërkuar shtyrjen e gjyqit të tetorit, por gjykatësi e hodhi poshtë. Sipas tij shtyrja e gjyqit me disa muaj nuk ishte i nevojshëm, për shkak se verifikimet mund të bëhen më shpejtë.
Pas takimit të parë të Trump në gusht, ish-presidenti dhe ekipi i tij ligjor kanë mbledhur më shumë prova në lidhje me akuzat kundër tij, më pas u janë dorëzuar dokumente dhe materiale të tjera.
Padia nuk ka lidhje me akuzat e ngritura ndaj Trump nga prokurori i Manhatanit, e cila shënoi edhe rastin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që një ish-president, akuzohet për vepra penale.
Ky është kthimi i tij i parë në New York që kur, u shpall i pafajshëm javën e kaluar për 34 akuza për për falsifikimin e të dhënave të biznesit pas një hetimi për pagesat e parave të heshtura të bëra yllit të filmit për të rritur Stormy Daniels.
Top Channel