Ligji për ndotjen akustike/ Kumbaro: Do përdoren mekanizma sipas standardeve të OBSH-së për matjen e zhurmave dhe kontrollin e orareve

13/04/2023 10:04

Qeveria ka miratuar një amendim në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis, që parashikon përdorimin e mekanizmave të veçantë për matjen e ndotjes akustike dhe kontrollin e orareve.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e  Turizmit, Mirela Kumbaro tha se njësitë e qeverisjes vendore, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave, ose hartëzimin e territorit për të përcaktuar qartë zonat e banuara

“Miratuam amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë një vjeçare, por edhe si rezultat i gjithë vëzhgimit që kemi bërë të sezonit të kaluar turistik, ku një nga shqetësimet e mëdha që kishin qoftë bizneset, qoftë operatorët, por edhe pushuesit ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës të shpërndarë në lokale, restorante, hotele e kështu me radhë. I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar prej vitesh duke bërë amendimin në ligjin për zhurmat dhe praktikisht duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në parlament, shpresojmë në javët në vijim, do të kemi një kontroll shumë më të lehtë të ligjit, do të kemi fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit përsa i përket kontrollit, tashmë me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të OBSH-së për të kontrolluar ndotjen akustike, për të kontrolluar oraret”

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, bashkitë dhe komunat kanë detyrim të përcaktojnë hartën me vendet e banuara, zonat e qeta dhe ato me zhurma. Këto të fundit duhet të jenë larg banesave apo hoteleve familjare.

“Është një detyrë të re për bashkitë, njësitë e qeverisjes vendore, që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave, ose hartëzimin e territorit për të përcaktuar qartë zonat e banuara, zonat që do të jenë krejtësisht të qeta, zonat ku janë larg banesave apo hoteleve familjare dhe ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse me muzikë në liri le të themi nga banorët, ashtu sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave midis policisë bashkiake që do të vazhdojë të kontrollojë, por tashmë dhe do të pajiset me mjete certifikuese, kontrolluese, të akredituara edhe për llojet e tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme, nga aktivitete të ndryshme ekonomike në territore të ndryshme të bashkive.

Fashat orare për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale të përditshme do të jenë nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës dhe në përputhjen me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe policia e shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma. Jemi përpjekur që të parashikojmë edhe hapësirat për jetën e natës edhe për festat e ndryshme“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA