Francezët vijojnë të kundërshtojnë me dhunë projekt-ligjin e Emanuel Macron për rritjen e moshës së pensioneve me dy vite.
Ata kanë vijuar protestat masive prej shumë javësh, duke marshuar nëpër qytete dhe shkatërruar ambientet publike. Mijëra persona marshuan në rrugë të ndryshme të qytetit me banderola në duar, të cilat përmbanin mesazhe të ndryshme për kundërshtimin e tyre.
Pas përballjes me policinë, të dyja palët nisën përplasjen me sende të ndryshme, përfshirë gazin lotsjellës. Në Paris, bankat dhe dyqanet e shtrenjta siguruan dritaret e tyre të përparme me dërrasa druri, por megjithatë demonstruesit hynë në disa prej tyre.
Për ti bërë ballë situatës së tensionuar autoritetet vendosën në dispozicion 11.500 oficerë policie, 4.200 prej tyre vetëm në Paris. Në mbështetje të francezëve kanë ardhur sindikatat, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht takim me presidentin Macron, gjë e cila u hodh poshtë nga lideri vendit.
Pavarësisht protestave të dhunshme lideri francez nuk ka hequr dorë nga projektligji që paraqiti. Kritikët kanë sfiduar zgjedhjen e qeverisë për të përfshirë planin e pensioneve në një projekt-ligj buxhetor, i cili përshpejtoi ndjeshëm procesin legjislativ.
Sondazhet kanë treguar vazhdimisht se shumica e francezëve janë kundër reformës së pensioneve. Këshilli Kushtetues i Francës pritet të vendosë nëse do ta miratojë ose refuzojë këtë ligj, që ka rritur tensionet e popullit vendas.
Top Channel