Deklarata e fortë, Spahiu: SHBA e bëri të qartë, Berisha edhe po fitoi zgjedhjet është Non Grata

13/04/2023 22:35

Analisti Kreshnik Spahiu, i ftuar në një lidhje direkte në “Top Story”, me Grida Dumën, pas ndjekjes së intervistës me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor tha se Gabriel Escobar e bëri të qartë se Sali Berisha edhe po fitoi zgjedhjet nuk i hiqet statusi ‘non grata’.

“Nuk gjen asnjë diplomat që të thotë që Gjermania është shteti më pro shqiptar në planet, nuk gjen asnjë diplomat italian që të thotë ne jemi më pro shqiptar në planet. Këtë e bëjnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo rastësisht fjalia e parë me fjalinë e fundit në intervistën e Escobar përkojnë dhe kanë lidhje me njëra-tjetrën”, tha Spahiu.

Escobar në intervistën me Grida Dumën për Top Channel nuk iu drejtua në emër Berishës për inspirim ndaj frymës anti-amerikane, theksoi Spahiu, ndërsa shtoi se nënkuptonte padyshim ish-kreun e Partisë Demokratike.

“I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh hapur se ata që inspirojnë frymën anti-amerikane, nuk e kanë vetëm me Amerikën por ka një politikë anti-shqiptare dhe padyshim me këtë nënkuptonte Sali Berishën, se nuk mendoj se nënkupton ndonjë gazetar të mediave shqiptare”, u shpreh ai.

“Nga ana tjetër u kujdes të japi një mesazh shumë të qartë se në praktikën e diplomacisë amerikane dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka asnjë rast në planet që një zyrtar të shpallet non grata dhe pavarësisht nga zgjedhjet politike, edhe sikur ti fitojë ky individ, nuk e ndryshon qëndrimin, është 0% mundësia që të ndryshohet non grata”, shtoi Spahiu.

Spahiu e quan qëndrimin e Berishës, që nga shpallja non grata, si agresive dhe anti-amerikane, dhe me këtë qëndrim shanset që statusi t’i hiqet është në minus 100.

“Edhe sikur të ketë pasur një hezitim me qëndrimin e Berishës nga shpallja Non Grata deri më sot, me agresivitetin e tij dhe këtij inspirimi anti-amerikan shanset kanë shkuar nga 0 në minus 100. Këto u mundova të kuptoj nga rreshtat e zotit Escobar”, përfundoi analisti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA