Produktiviteti i ulët dhe plakja e popullsisë janë arsyet, të cilat mund t`i shtyjnë sipas FMN-së normat e interesit në ekonomitë e mëdha që të bien në nivelet e përpara pandemisë së Covid 19-ës.
Institucioni i rëndësishëm global pret që rritja e çmimeve të huamarrjes të jetë e përkohshme pasi inflacioni i lartë të vihet nën kontroll. Bankat Qendrore në një sërë vendesh, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara, tek Britania e Madhe e shtete të tjera nëpër Evropë i rritën normat e interesit me shpresën të luftonin në këtë mënyrë inflacionin galopant.
Në Angli, ai shënoi nivelin më të lartë të gati 4 dekada. Ishin një sërë faktorësh që ndikuan në këtë hov të inflacionit, ndër të cilët edhe lufta e Rusisë në Ukrainë që solli një rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë.
“Kur inflacioni të vihet nën kontroll, Bankat Qendrore të ekonomive të avancuara, do të mund të lehtësojnë politikat monetare dhe të ulin normat e interesit në nivelet para pandemisë. Plakja e popullsisë ndikon gjithashtu. Shpenzimet që bëjnë njerëzit kur janë në të 20-at, 30-at dhe 40-at e tyre, janë më të lartat, ndoshta për shkak të blerjes së pronave të patundshme, krijimit të çifteve, blerjes së makinave apo çfarëdo tjetër, por me kalimin e kohës ulen dhe shpenzimet, dhe konsumi”, u shpreh George Godber FMN.
Disa ditë më parë, shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva u shpreh se ky organizëm pret rritje të ngadalshme ekonomike në vitet në vijim, duke shtuar se India dhe Kina kanë kontribuuar në gjysmën e rritjes ekonomike globale këtë vit. Rritja është duke u ngadalësuar në 90 për qind të shteteve të industrializuara, përfshirë Eurozonën, ku sipas Fondit Monetar Ndërkombët5ar, normat e larta të interesit do të rëndojnë mbi kërkesën.
Top Channel