Nga kjo e martë përmes ankandit të parë nisi operimin Bursa Shqiptare e Energjisë, një hap i rëndësishëm për të çuar përpara sektorin elektro-energjetik.
E pranishme në këtë aktivitet, kryediplomatja amerikane Yuri Kim e cilësoi krijimin e Bursës shqiptare të energjisë, një hap para në zhvillimin strategjik dhe përmirësimin e klimës e biznesit.
“Lidhja e tregut Shqipëri-Kosove do t’i ndihmojë të dyja vendet t’i bashkohen një tregu të vetëm europian të energjisë elektrike, duke përmirësuar tregtimin e energjisë elektrike në të gjithë kontinentin. Këto janë hapa te mëdhenj, domethënës drejt një energjie më të sigurt, më të përballueshme për bizneset dhe për qytetaret. Me pak fjalë, do të ketë më shumë furnizim dhe çmime më të mira”.
ALPEX, tha ministrja Balluku është bursa e dytë operacionale në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve.
“Prioritet, qeveria shqiptare ka mbrojtjen e konsumatorit nga çmimet marramendëse të tregut. Shqipëria sot është në një nga pozitat më të mira në rajon sa i përket rëndësisë energjetike.
Palët e ulura në tryezë kanë arritur në përfundimin që ky është një projekt eficent.
Energjia do të tregtohet në mënyrë transparente dhe në një kompeticion të drejtë në Bursën Shqiptare. Duke i dhënë kështu industrisë tonë dhe tregut ndërkombëtar mundësinë për të marrë energjinë me çmimet më të mira”.
Operimi i bursës do të nisë me kompanitë publike të energjisë, që do të kryejnë transaksione me njëra tjetrën, duke qenë se aktualisht janë të vetmet që janë anëtarësuar në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike. Bëhet fjalë për OSHEE Group, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Korporata Elektorenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, në rolin e saj si kundërpalë qendrore, vendoset ndërmjet transaksioneve të palëve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse, me qëllim garantimin e transaksioneve.
Top Channel