Shkencëtarët kanë zbuluar prova të drejtpërdrejta që njerëzit në Evropë përdornin droga psikoaktive gjatë epokës së bronzit, ndoshta si pjesë e ritualeve të lashta.
Gjurmët e substancave alkaloide që kanë origjinën nga bimët dhe dihet se ndikojnë në perceptimin dhe shkaktojnë deliri dhe eufori janë ruajtur në fijet e flokëve të njeriut që datojnë rreth 3000 vjet më parë. Studiuesit gjetën qimet, së bashku me objekte të tjera, në shpellën e varrimit Es Càrritx në Menorca, një nga ishujt Balearik në brigjet lindore të Spanjës në Detin Mesdhe.
Analiza kimike zbuloi stimuluesin ephedrinë në qime. Analiza zbuloi gjithashtu atropinë dhe skopolaminë – të dyja janë komponime psikoaktive që mund të shkaktojnë çorientim, përçarje shqisore dhe halucinacione, raportuan studiuesit të enjten në revistën Scientific Reports.
Përdorimi i drogës mes njerëzve është një praktikë e njohur si mijëra vjet e vjetër, bazuar në të dhëna që janë zbuluar më parë në Euroazi dhe në Amerikë. Por në Evropë, prania e bimëve që ndryshojnë mendjen në vendet parahistorike u ofroi arkeologëve një pamje jo të plotë. Deri më tani, atyre u mungonin prova që njerëzit në komunitetet e lashta gëlltitnin bimët, tha autorja kryesore e studimit Elisa Guerra-Doce, një profesoreshë e asociuar e parahistorisë në Universitetin e Valladolidit në Spanjë.
“Me këto gjetje të reja, ne po paraqesim provat më të hershme të konsumit të drogës në parahistorinë evropiane”, tha Guerra-Doce për CNN.
Es Càrritx u zbulua në 1995; hyrja e saj është rreth 25 metra nga maja e një shkëmbi dhe ka shtatë dhoma brenda shpellës. Nga viti 1400 para erës sonë deri në vitin 800 para Krishtit ishte një vend varrimi dhe më shumë se 200 të rritur dhe fëmijë – meshkuj dhe femra – u varrosën atje.
Top Channel