Shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare është një nga stacionet e preferuara të atyre që vizitojnë Gjirokastrën.

Hilda dhe Richard bashkë me dy fëmijët e tyre vijnë nga Irlanda për të vizituar Shqipërinë. Ata tregojnë se kanë zbuluar shumë rreth kulturës lokale, trashëgimisë ndërsa vizita në muzeun Kadare është një indicie më tepër për ta zbuluar Shqipërinë përmes leximit.

“Di që kishim dëgjuar për emrin e shkrimtarit më parë por nuk kishim lexuar diçka më parë por duke lexuar pasazhe të librave brenda muzeut na pëlqeu shumë stili dhe patjetër që do të blejmë disa libra për ta njohur më mirë. Para se të vinim këtu vizituam shtëpinë Skënduli që është një version i vjetër dhe i parestauruar i një banese. Jemi të kënaqur që i kemi parë të dyja banesat të vjetrën dhe të renë”, u shpreh Hilda Sagon.

Rikonceptimi i përmbajtjes brenda banesës Kadare garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij. Vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.

Në Gjirokastër, janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve, shumë ekzemplarë të objekteve etnografike, kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim  dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 145 mijë vizitorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA