Ushtria kineze ka përfunduar një shfaqje force tre ditore në kufijtë e Tajvanit nxitur nga një vizitë e presidentes së vendit, Tsai Ing-wen në SHBA dhe takimin me Kevin McCarthy kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas gazetës amerikane New York Times këto manovra dërguan dy sinjale kryesore. E para për të treguar se kundërshton shkëmbimet dypalëshe me liderët e ishullit dhe e dyta për të treguar brishtësinë e ishullit përballë një sulmi me forcë nga Kina.
Prestigjozja amerikane citon editorialistin e gazetës kryesore të ushtrisë kineze i cili thotë se “A janë të besueshme ‘garancitë e sigurisë’ të ofruara nga Shtetet e Bashkuara? Përgjigja është, natyrisht, negative.”
Sipas ekspertëve manovrat ushtarake ishin më të vogla dhe më pak kërcënuese se të njëjtat që u zhvilluan në gusht për të simuluar një bllokadë pas vizitës së Nancy Pelosit, ish-përfaqësuesja e dhomës së përfaqësuesve në ishull.
Megjithatë, shfaqja e forcës së Kinës kësaj radhe ishte plot me mesazhe dhe imazhe frikësuese që paralajmëronin pasojat e mundshme të sfidimit të kërkesave të Pekinit për bashkim.
Ushtria kineze deklaroi se stërvitjet kishin përfunduar dhe se kishte përmirësuar aftësinë e saj për të “shpartalluar separatizmin e ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe ndërhyrjen e jashtme në çdo formë”.
Kësaj shfaqje demonstrative i është përgjigjur edhe Tajvani me imazhe dhe njoftime që tregojnë avionë, ushtarë dhe anije të gatshme për të mbrojtur ishullin.
Sipas analistit të studimeve strategjike në Universitetin Tamkang në Tajvan ‘ajo që është mjaft shqetësuese është se, për shkak të shtimit të forcave detare dhe ajrore në të dy anët e kufirit janë rritur shanset për një shkëmbim të paqëllimshëm zjarri”.
Kina tha të dielën se një nga anijet e saj ishte aq afër sa 5 milje detare nga një anije detare tajvaneze. Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se forcat e ishullit ishin nën urdhër për të shmangur incidentet.
Megjithëse stërvitjet e fundit nuk përfshinin raketa, ekspertët do të shqyrtojnë stërvitjet për shenja se si kanë evoluar aftësitë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Një fokus mund të jetë Shandong, aeroplanmbajtësja kineze. Nga ky përbindësh detar u dërguan dhjetëra fluturime të avionëve luftarakë, sipas autoriteteve ushtarake japoneze. Fluturimet dukej të ishin hera e parë që avionët kinezë J-15, të projektuar për të operuar nga aeroplanmbajtëse, janë gjurmuar duke hyrë në “zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore” të Tajvanit, tha Ben Lewis, një analist që monitoron fluturime të tilla.
Kina vendosi aeroplanmbajtësen për të përforcuar pretendimin e saj se mund të “rrethojë dhe izolojë” Tajvanin, tha Ou Si-fu, një studiues në Institutin për Kërkimin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë në Taipei, i cili është i lidhur me ministrinë e mbrojtjes së Tajvanit. “Kjo do të thotë se mund ta bëjë atë në bregun tonë lindor, si dhe në bregun tonë perëndimor,” tha z. Ou.
Top Channel