Shpërthim i fuqishëm në Marsejë! Shembet ndërtesa, persona të bllokuar nën rrënoja

09/04/2023 17:59

Një ndërtesë banimi katër katëshe u shemb pak pas mesnatës së sotme pas një shpërthimi, duke lënë nënë rrënoja personat që banonin aty.

Banesa, tashmë e kthyer në gërmadha, lëndoi pesë persona dhe 10 të tjerë dyshohet se janë nën rrënoja.

Nuk dihet nëse ata janë gjallë, por situata po vështirësohet për shkak të zjarrit aktiv që ndodhet në brendësi të ndërtesës së shkatërruar.

Ministri i Brendshëm francez deklaroi se ende nuk dihet se si do të vijojë situata, por duhet të jenë të përgatitur pasi mundësia për viktima ekziston.

“Nuk mund ta dimë sot shkakun e këtij shpërthimi shumë të madh. Prokurori e ka referuar çështjen në policinë gjyqësore të Marsejës, e cila padyshim do të përcaktojë të gjithë të vërtetën për këto rrethana. Ajo që mund t’ju them është se ne mendojmë se janë nga katër deri në 10 persona, nën rrënoja. Zjarri vazhdon ende të jetë aktiv. Është shumë e vështirë për t’u aksesuar sepse rrënojat kanë mbuluar pothuajse të gjithë zjarrin dhe padyshim një sasi e caktuar gërmadhash duhet të hiqet fillimisht për të garantuar sigurinë e zjarrfikësve përpara se ata të mund të ndërhyjnë”, tha Gérald Darmanin – Ministër i Brendshëm francez.

Rrugët përreth ndërtesës së shembur janë të mbuluara nga pluhuri dhe tymi, ndërsa zjarrfikësit po punojnë intensivisht.

Ata janë në luftë me kohën, që në momentin e mbërritjes në vendin e ngjarjes pak minuta pasi ndodhi.

Përveç ekipit prej 100 personash në ndihmë u ka ardhur edhe një eskavator, i cili po largon mbeturinat e ndërtesës nga aty.

Mbetet e paqartë se sa banorë janë në ndërtesën e shembur, ndërsa autoritetet evakuuan ndërtesat fqinje të dëmtuara dhe në rrezik shembjeje. Në pallatet përreth janë “prekur” mbi 30 banorë, që u strehuan në shkolla dhe çerdhe.

Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e shkaktoi shpërthimin e fuqishëm, por fillimisht raportohet për një rrjedhje gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA