Gjashtë të akuzuar janë dënuar sot për vrasjen e ambasadorit italian Luca Attaasio, shoferit dhe rojës së tij në shkurt 2021, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.
Gjashtëshja u dënua me “shërbim kriminal përjetë” me akuza komploti dhe vrasjeje nga gjykata në kryeqytetin Kinshasa.
Prokurorët kishin kërkuar fillimisht dënim me vdekje për atentatin e 22 shkurtit 2021, kur Luca Attanasio ishte një nga tre të vrarët në pritën e karvanit të OKB, në zonat e trazuara lindore të vendit.
Dy viktimat e tjera ishin shoferi vendas Mustapha Milambo dhe oficeri policisë italiane Vittorio Iacovacci.
Avokatët thanë sot për rrjetin AFP se do të apelonin dënimet e përjetshme.
Një nga të akuzuarit mbetet në arrati.
Në seancat e mëparshme prokurorët thanë se kriminelët kishin tentuar të merrnin peng ambasadorin për të kërkuar një shpërblesë në para.
Gjykata ushtarake i dha gjithashtu dëmshpërblim për Italinë shumën ekuivalente të $2 milionë dollarëve, në franga kongoleze.
Shumica e zonave lindore të R.D. Kongo kontrollohet nga grupe të armatosura, të mbetura prej konflikteve të fundit të viteve 1990-të e fillimi të viteve 2000-të.
Vendi ka ruajtur një moratorium de-facto ndaj dënimit me vdekje prej vitit 2003, sipas OKB, por ato vijojnë të jepen për raste krimesh të rënda.
Top Channel