Zbulimet arkeologjike në Durrës, sondazhe gjeologjike të reja në Amfiteatër

06/04/2023 12:30

Në Amfiteatrin Antik të Durrësit ka nisur sondazhi i shtresave gjeologjike të pazbuluara dhe të panjohura deri më sot nga studiuesit dhe arkeologët. Këto sondazhe i paraprijnë ndërhyrjes së mëtejshme për zbulimin e plotë të monumentit më të madh të botës antike në vend dhe rajon.

“Ministria e Kulturës ka bërë përzgjedhjen e një kompanie që do të bëjë sondazhet duke nxjerrë kampionet nga pjesa e arenës dhe pjesë të tjera dhe pasi të bëhet analiza dhe studimi i sondazheve pritet dalja në konkluzion nga ana e specialistëve deri ku mund të shkojë tabani dhe lloji i shtresave. Punime këto që nuk kanë mundur të bëhen më parë”, ka thënën drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito.

I zbuluar në vitin 1966, Amfiteatri i Durrësit, një nga 30 amfiteatrot e botës antike, është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Për afro 2 shekuj ai u përdor për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra dhe kishte një kapacitet për 15 mijë shikues. Sipas autoriteteve muzeore, sondazhet e sapo nisura nuk do të pengojnë në vizitueshmërinë e monumentit antik për këtë sezon turistik, që gjithsesi do të ofrojë më pak objekte të trashëgimisë sonë për t’u vizituar, pasi dhe muzeu më i madh arkeologjik në vend është nën rikonstruksion.

 “Në këtë moment kemi vetëm Amfiteatrin të vizitueshëm, pasi Muzeu është në rikonstruksion, Hamami gjithashtu. Edhe Torra Veneciane, që shpresojmë të hapet para sezonit turistik. Me hapjen e Torrës, po dhe të Amfiteatrit do të kemi një fluks të konsiderueshëm vizitorësh të cilin e mirëpresim për t’u dhënë shërbimet e dëshiruara”, është shprehur Alban Ramohito.

Amfiteatri dhe zonat kryesore arkeologjike A dhe B, në Durrës, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve të shumta për të nxjerrë në pah vlerat që ato mbartin nën dhe mbi tokë, për ta kthyer Durrësin në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në 10 vitet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA