Rasti i Sali Mustafës/ Gjykata e Posaçme e Kosovës urdhëron kompensimin e viktimave me 207 mijë euro

06/04/2023 17:00

Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, urdhëroi të enjten ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të krimeve të luftës, për të cilat ai u dënua në dhjetor të vitit të kaluar me 26 vjet heqje lirie.

“Trupi Gjykues vendosi se kompensimi i secilës prej viktimave është lloji dhe modaliteti më i përshtatshëm për zhdëmtim dhe urdhëroi shuma të ndryshme për t’u paguar për secilën prej viktimave pjesëmarrëse, që nga 2 mijë euro deri në 80 mijë euro”, thuhet në vendim.

Sali Mustafa, u shpall fajtor me 16 dhjetor të vitit 2022 nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë. Trupi gjykues tha se Sali Mustafa ka marrë pjesë personalisht në rrahjen dhe torturimin e të paktën dy të burgosurve dhe i lejoi vartësit e tij të keqtrajtonin një tjetër aq rëndë sa ai vdiq më vonë.

Në vendimin e së enjtes, gjykata nënvizoi se pavarësisht që përgjegjësinë për pagesën e kompensimit e mban ekskluzivisht zoti Mustafa, në kohën e lëshimit të urdhrit për zhdëmtim, ai nuk zotëron mjete financiare për zbatimin e plotë të tij.

Trupi gjykues tha se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një alternativë për zbatimin e këtij urdhri, por shumat maksimale që lejohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara nga gjykata.

Për këtë arsye Gjykata e Posaçme i bëri thirrje Kosovës të krijojë një mekanizëm të ri për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e saj, “për të garantuar trajtimin e barabartë midis viktimave dhe të dyshuarve ose të akuzuarve në proceset e Gjykatës së Posaçme, të cilët mbështeten financiarisht për mbrojtjen e tyre nëpërmjet buxhetit të Kosovës, ndërsa asgjë nuk parashihet për viktimat e krimeve të përfshira”, thuhet në vendim.

Në rast se Kosova “nuk i përmbush detyrimet ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme përmes krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim”, gjykata rekomandon ne vendimin e saj krijimin e një fondi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e Gjykatës së Posaçme, që do të “mbështetet financiarisht para së gjithash nga Kosova, si dhe nga shtete dhe donatorë të tjerë që dëshirojnë t’u ofrojnë mbështetje viktimave”, thuhet në vendim.

Aktgjykimi i zotit Mustafa vitin e kaluar, ishte vendimi i parë i Gjykatës së Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, themeluar në vitin 2015 në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Të hënën në Hagë filloi procesi gjyqësor kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA