Rezeart Tusha është një nga  181 subjekte që gati dy vjet më parë u vendos nën verifikim nga Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Por verifikimet për kandidatin demokrat me gjithë kohën që ka kaluar nuk janë mbyllur ende . Të pyetur nga Top Channel , prokuroria e përgjithshme  ja vuri përgjegjësinë zviceranëve që  sipas këtij reagimi kanë refuzuar ti përgjigjen prokurorisë së përgjithshme për dhënie ndihme të ndërsjellë.

Refuzimi thotë pala shqiptare erdhi për shkak se informacioni nuk është kërkuar në kuadrin e një procesi penal ndaj Rezeart Tushës, që akuzua nga socialistët në zgjedhjet e  kaluara se nuk kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit një dënim që i përket vitit 1994

Në të vërtetë, ajo çka paraqitet si një kundërshtim i partnerëve për të bashkëpunuar me prokurorinë shqiptare, është një e drejtë e tyre , në këtë rast e zviceranëve për të mos kthyer përgjigje për sa kohë letërporosia është përcjellë vetëm me indicie dhe pa kryer asnjë veprim shtesë.

Në reagimin e prokurorisë së përgjithshme  thuhet se për çështjen  Tusha me numër 49 po përdoren  të gjitha rrugët e mundshme  për të administruar informacion dhe se po kryhen veprime të tjera verifikuese

Por se cilat janë këto veprime hetimore që po kryhen për gati dy vjet, organi i akuzës nuk i bën me dije.

Në raportin vjetor të 2022 , pranohet se nga 111 kërkesa për verifikime dekriminalizimi, vazhdojnë ende të hapura llogaritë për 35 prej tyre. Ndërsa për 54 raste, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur mospranimin e tyre, për arsye të mosplotësimit të kushteve e kritereve për verifikim të thelluar.

Episodi Tusha nuk është i pari në të cilin ndërkombëtarët presin që gjatë shkëmbimit të letërporosive, prokurorët të bëjnë prokurorin.

Përgjigja e Prokurorisë

Në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi bazën e kërkesës së ardhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, është regjistruar me nr.49, viti 2021, procesi i verifikimit të thelluar për subjektin vetëdeklarues, Rezart Xhelal Tusha, bazuar në Ligjin nr.238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se autoritetet gjyqësore zviceriane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar  në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.

Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha rrugëve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi,  Sektori i Dekriminalizimit ka vazhduar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues. Me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA