“Nepotizmi është problematikë”/ Muhamed Veliu për “Top Talk”: SHISH është kthyer në një punësim familjar

06/04/2023 17:43

Gazetari Muhamed Veliu komentoi në “Top Talk” një nga problematikat e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat duhet të rregullohet nga drejtuesja e sapo emëruar Vlora Hyseni.

Sipas gazetarit në listat e publikuara nga iranianët u vërejt se të punësuar në institucione rezultonin persona të të njëjtës familje ose të afërm.

“Nepotizmi (favorizimi) është një tjetër problematikë. Brenda Shërbimit Informativ Shtetëror thonë që nuk duhet marrë në konsideratë ajo që thuhet se Banka e Shqipërisë ka nepotizmin më të lartë. Po të shikosh tek listat që publikuan iranianët, shihet se ka nëna, i biri, vajza, vëllai, motra.

Më duket njësoj si në Angli, kur profesionin e avokatit e trashëgojnë ata që kanë gjak “blu”, kjo për batutë. Kështu duket edhe për SHISH, është kthyer në një punësim familjar”, tha Veliu.

Ndër të tjerat gazetari shtoi se drejtuesja e re e Inteligjencës Shqiptare duhet të merret me rikthimin në punë të personave të larguar për disa arsye.

“Një aspekt tjetër me të cilin zonja Hyseni duhet të merret është rikthimi në punë i disa njerëzve të dedikuar që janë larguar nga shërbimi informativ, në thonjëza për arsye politike, por ka qenë një hakmarrje”, shtoi më tej ai.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA