2 persona janë vënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi policia zbuloi një lokal i cili ishte përshtatur për shitje dhe për përdorim të drogave të forta dhe të kanabisit në Lushnje.
Gjatë këtij operacioni u gjetën 120 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 39 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe dhjetëra doza të dyshuara lënde narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan së bashku me 9 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike. Në flagrancë janë arrestuar Zh. H. (Gj.) i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, 33 vjeç dhe K. Ç., 27 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
Në kërkim janë shpallur M. K., 33 vjeç i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale dhe S. K., 29 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit proaktiv, rezultoi se këta 4 shtetas ushtronin në formën e grupit, veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta dhe kanabisit, në një lokal në lagjen “Kadri Qystri”, Lushnjë, i cili administrohej nga 33-vjeçari K.Ç i arrestuar.
Lokali ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u bllokua nga shërbimet e Policisë.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. A., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap në lokal, duke blerë lëndë narkotike.
Top Channel