Tre shqiptarë të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Italia dhe Greqia drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për ekstradimin e një 51-vjeçar Ilir Duro nga Italia i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, ‘’Grupi i strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal’’. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me transportimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë një 21-vjeçar, Luis Shkira, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. 21-vjeçari, më datë 13.09.2021, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut.
Një tjetër i ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë është Paulin Peci, 30 vjeç, banues në Përmet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel