Kombëtarja e femrave nisi pasditen e së mërkurës grumbullimin në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut.
Kjo sfidë e planifikuar për t’u zhvilluar pasditen e së premtes, në “Elbasan Arena” (16:00).
Vajzat kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, zhvilluan dje seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Në prag të kësaj ndeshjeje, Grima, në një prononcim për fshf.org, tregoi objektivat që ka skuadra.
Trajneri shprehet se miqësorja ndaj Maqedonisë së Veriut vlen për të konsoliduar akoma edhe më shumë grupin e vajzave. Që pritet të jetë edhe skuadra përfundimtare që do të përfaqësojë Shqipërinë në eliminatoret e ardhshme.
“Edhe grumbullimi i parë, edhe kjo ndeshje miqësore vlejnë shumë për ne. Për të konsoliduar akoma edhe më shumë grupin me vajzat e reja që na janë bashkuar. Na vlejnë shumë këto grumbullime. Sigurisht që është në sensin pozitiv për të parë gjendjen fizike se si i kemi përballuar këto ditë pas grumbullimit të parë në Ulqin.
Kemi grumbulluar vajzat më të mira që kemi, i kemi alternuar me disa vajza të reja që mendojmë t’i bëjmë pjesë të skuadrës. Besoj se ky është ekipi që do të përballojë eliminatoret e ardhshme që nisin në shtator”, theksoi Grima.
Trajneri shkodran foli edhe për shortin që do të hidhet më 2 maj, ku Shqipëria do të njohë rivalet për eliminatoret e ardhshme të Europianit.
“Ne jemi mësuar me shorte të vështira, uroj që të kemi pak fat. Që të shpresojmë diçka më shumë, përveç qëndrimit në grupin B, aty ku aktualisht jemi në Ligën e Kombeve”, nënvizoi trajneri kuqezi.
Ndër të tjera, tekniku shqiptar flet edhe për futbollin e moshave dhe projektin që FSHF ka për vajzat e vogla. Ndërsa shpreson që në të ardhmen Kombëtarja do të jetë më e fortë.
“Besoj që te futbolli i moshave, planet afatgjata që ka FSHF do të sjellin rendimentin që ne presim, fluksin e vajzave që të merren me futboll.
Shpresoj që të kemi sa më shumë vajza pjesë të futbollit, sepse do të kemi Kombëtare edhe më të fortë në vitet në vazhdim”, theksoi Grima. Gjithashtu, ai nënvizoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë në eliminatoret e ardhshme.
“Ne mendojmë që kemi mundësi për të përballuar mirë këtë grup që kemi përpara dhe besoj që do të bëjmë paraqitje më të mirë sesa eliminatoret e kaluara“./ SuperSport
Top Channel