Duket se është stabilizuar gjendja shëndetësore e Silvio Berluskonit, të shtruar me urgjencë në terapi intensive për një pneumoni, të cilën Corriere della Sera e përshkruan si të shfaqur në vazhdën e një leuçemie.
Nata ka qenë e qetë për politikanin veteran 86 vjeçar, i cili po reagon mirë ndaj trajtimeve mjekësore. Nga sa shpjegon gazeta prestigjoze, Berlusconi i është nënshtruar kimioterapisë për të luftuar formën e leuçemisë që e ka goditur.
Katër herë kryeministër, manjati mediatik në vendin fqinj ende udhëheq partinë e tij Forza Italia dhe është zgjedhur senator.
Shëndeti i tij megjithatë, çalon prej disa vitesh. Në 2016-tën bëri një operacion në zemër e katër vjet më vonë, u prek nga pneumonia pas infektimit me Covid-19. Që atëherë, e ka parë disa herë portën e ekranit.
“Ne duam të jemi optimistë”, tha Antonio Tajani, ministri i jashtëm i Italisë dhe një nga figurat më të lartë të Forza Italias. Vetëm 6 ditë përpara shtrimit të fundit në spital, Berluskoni kishte bërë kontrolle mjekësore për katër ditë rresht.
Tajani u shpreh se kreu i partisë së tij kishte një “problem të pazgjidhur”, por nuk dha më shumë shpjegime. Forza Italia është një partner më i vogël i koalicionit qeverisës të krahut të djathtë, i cili drejtohet nga Giorgia Meloni.
Berlusconi mbetet një figurë përçarëse në politikën italiane. Në fillim të këtij viti, ai shpëtoi më në fund nga akuzat e lidhura me festat e tij famëkeqe “bunga bunga”. Disa gazeta i uruan shërim të shpejtë, ndërsa të tjera kanë theksuar ndikimin e mundshëm të sëmundjes së tij në peizazhin politik të vendit.
Top Channel