Diplomatja e rangut të lartë, Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann e cila rrallëherë flet për mediat ka dhënë një intervistë ditën e sotme për Top Story me Grida Dumën.
Hohmann ka komentuar sulmin ndaj Top Channel, për të cilin tha se e dënon rreptësisht pasi janë dy gjëra të rëndësishme që fshihen pas këtij sulmi: media e lirë dhe mundësia për të raportuar lirisht është vendimtare për çdo vend demokratik dhe për çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Zyrtarja bën thirrje që kjo ngjarje e paprecedentë të hetojhet në thellësi që përgjegjësit të marrin pasojat.
Top Channel: Mëngjesin e së hënës godina e Top Channel-it, një televizion i madh kombëtar është goditur nga një sulm apo goditje terroriste, me humbjen e jetës së njërit prej rojave të sigurisë aty. I gjithë stafi, por besoj i gjithë komuniteti i gazetarëve, është ende në pritje dhe është në shok nga një ngjarje e tillë e paprecedent, për të marrë përgjigje se pse, si, etj. Ende policia e shtetit nuk ka një përgjigje zyrtare për arsyet e këtij sulmi. Si e gjykoni ju këtë sulm mbi një media si Top Channel?
Ambasadorja: Para së gjithash, është dëshira ime t’i shpreh ngushëllimet e mia të thella familjes, por edhe kolegëve të rojës së sigurisë që u vra në këtë sulm të papranueshëm kundër një medie. Dhe kjo është diçka që ne e shprehëm menjëherë të hënën e kaluar, pasi dëgjuam për të, duke përfshirë edhe Komisionerin Varhelyi, i cili i dënoi këtë sulm, sepse janë dy gjëra që janë shumë të rëndësishme për ne: media e lirë dhe mundësia për të raportuar lirisht është vendimtare për çdo vend demokratik dhe për çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pika e dytë është se sundimi i ligjit është i rëndësishëm. Pra, ne kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë t’u bëjmë thirrje aftësive të zbatuesve të ligjit që ta hetojnë këtë në thellësi, në mënyrë që përgjegjësit për sulmin të çohen në gjykatë dhe të ndjejnë pasojat.
Familjarët e Pal Kolës që mbeti viktimë nga breshëria e 26 plumbave të derdhur ndaj një medie kombëtare dhe gjithë opinion publik nuk e kanë ende një përgjigje nga autoritetet shqiptare se kush fshihet pas këtij sulmi. Nga analizimi i provave dhe puna hetimore e kryer nga policia dhe prokuroria e kryeqyteti nuk është shkuar drejt një emri konkret si autor i dyshuar.
Top Channel